Ushtroi dhunë ndaj gruas pasi mbeti pa duhan, ky është vendimi i gjykatës

Për dhunën fizike që kishte pranuar veç pse burri i kishte mbetur pa duhan e dhunën psiqike ndaj saj pas vizitës që pati tek e ëma, e dëmtuara M. K. ishte detyruar që ta raportonte bashkëshortin e saj në organet e rendit.

I pandehuri, I. K. është shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Prishtinë për veprimet që ai ka bërë ndaj gruas së tij, madje gjatë procesit gjyqësor ai e pranoi edhe fajësinë.

Sipas aktgjykimit, më datë 25 mars 2022, në orët e pasdites, por edhe më parë, i pandehuri me dashje dhe me qëllim të cenimit të dinjitetit të personit tjetër, kishte shkaktuar dhunë në familje ndaj bashkëshortes së tij.

Aktgjykimi tregon se gjatë kohës sa e dëmtuara ka qenë për vizitë tek nëna e saj, i pandehuri e ka telefonuar dhe ka ushtruar dhunë psiqike ndaj saj.

”Ti po shkon me jarana, po shitesh me pare, mos hajde ma në shpi, veç çiken bjerma” – janë fjalët me të cilat i pandehuri iu ishte drejtuar viktimës.

Përpos kësaj, aktgjykimi tregon se rreth një javë para datës kritike, diku rreth orës 12:00 deri sa e dëmtuara kishte qenë në shtëpinë e tyre, së bashku me të pandehurin dhe vajzën e tyre, burri i saj kishte ushtruar dhunë fizike ndaj saj.

“Ai kishte mbetur pa duhan, pa asnjë arsye e ka goditur të dëmtuarën me grusht në dorën e djathtë, e ka kapur për flokësh dhe i ka thënë që të del nga shtëpia” – thuhet në aktgjykim.

Për këto veprime, I. K. u dënua me burg në kohëzgjatje 6 muaj, si dhe me dënim me gjobë në shumën 300 euro, por këto dënime nuk do të ekzekutohen në afat prej 1 viti nëse i pandehuri nuk kryen vepër të re penale.

Në aktgjykim thuhet se me vendim të Gjykatës, i akuzuarin është liruar nga detyrimi i kompensimit të shpenzimeve të procedurës penale ngase pagesa e tyre do ta rrezikonte gjendjen materiale të pandehurit ose të personave që ai detyrohet ti mbështesë materialisht.