Fillon Java e Dytë e ‘EtnoFest’

Edicioni i shtatë i festivalit të kulturës dhe arteve tradicionale filloi më 11 gusht dhe do të përfundojë më 3 shtator.

Sot fillon vikendi i dytë i manifestimit kulturor në fshatin Kukaj ku do të vazhdojë programi i ‘Etnofest’ që nga ekspozitat, shfaqjet teatrale deri tek performimi i zejeve të ndryshme tradicionale.

Festivali që mbahet vetëm gjatë vikendeve ka mbledhur pjesëmarrës artistë nga më të ndryshmit me performance muzikore dhe teatrale si dhe eksponate që do të shfaqen në bashkëpunim me Muzeun e Kosovës.

E veçanta e këtij edicioni janë diskutimet dhe konferencat shkencore mbi etnologjinë me ekspertë të ndryshëm.

Sipas Drejtorit të Festivalit, Fadil Hysaj, kjo po bëhet për shkak të një krize identitare që është identifikuar në shoqëri.

“Meqenëse kriza shqiptare e këtyre viteve është mbi të gjitha krizë identitare dhe krizë sociale, kemi vendosur që në këtë edicion krahas prezantimit të vlerave të mirëfillta, t’i shoqërojmë ato me debate dhe konferenca shkencore me specialistë të domeneve të ndryshme si etnologë, linguistë, antropologë, arkeologë, arkitektë e urbanistë, sociolog të kulturës, artistë dhe hulumtues shkencorë, gjithnjë në interaksion me publikun dhe me mediat. Domeni i prezantimit të vlerave do të kapë 8 shtylla programore”, tha Fadil Hysaj.

Përderisa i gjithë vikendi është i ngarkuar me aktivitete të larmishme, sot publiku i ‘EtnoFest’ mund të  ndjekë performancë nga etno-ansambli “Jonuz Ramadani”, nga Smira e Vitisë.

Në anën tjetër hapjen e kësaj mbrëmje do ta bëjë Akademia e Dizajnit të Modës ‘Diverse’, në Prishtinë që do të shfaqin kostumgrafi moderne të bazuar në dizajne tradicionale.

Ndërkaq për argëtimin e pjesëmarrësve festivali sjell ‘Etno Neja’ deri në mesnatë.

KALLXO.com do të ju sjell në vazhdimësi atmosferën nga ky festival.