'Etno Fest' përmbyllë edicionin e 12-të me temën qendrore ‘Dashunia’

Me melodi muzikore, këngë popullore dhe shfaqje baleti  të etnosit dhe trashëgimisë kulturore shqiptare, u përmbyll edicioni i 12-të i “Etno Fest” 2022.

Në Kukaj të Prishtinës, brenda oborreve dhe shtëpive të mbushura me art, nën qiellin e hapur me një publik artdashës, festivali u bë i hareshëm duke plotësuar mozaikun e etno performancës dhe  shfaqjeve të artistëve.

Atmosfera dhe këngët popullore të Miranda Hashanit pasuruan edhe më tej natën e mbrëmshme.

Hashani tha se festivalet e tilla duhet të përkrahen dhe të ketë organizime më të shpeshta.

“Unë mendoj që festivale të tilla duhet të përkrahen  gjithmonë jo vetëm institucionet por edhe ne si popull sepse nuk duhet të harrohet kush jemi sepse si kanë fillu me u kthy disa njerëz, disa artist atëherë vërtetë është për keqardhje, por shpresoj të këtë sa më shumë festivale të paktën për gjeneratat që po vijnë ta dinë, një apel për gjithë prindërit që po rrisin fëmijë të i rrisin në frymë shqiptare në traditë edhe të i sjellin fëmijët këtu”- tha ajo.

Në anën tjetër, për Ansamblin Artistik “Kuvendi i Zall Dardhë” nga Dibra ishte hera e parë që performuan në “Etno Fest” duke shpalosur një tjetër pasuri kulturore shqiptare.

Nexhat Ndreu nga ky anbsambël tha që presin edhe herave të tjera të vijnë këtu.

“Ne kemi qenë pjesëmarrës në shumë festivale por këtu në “Etno Fest” kemi ngel shumë të kënaqur, ishte një festival i mrekullueshëm i cili e gëzoi publikun por edhe amsamblin”- theksoi Ndreu.

Me valle dhe veshje popullore të Hasit u shfaq vallëzimi i quajtur “Ritet e Dashurisë”. Haziz Hodaj tregoi që në thelb është paraqitur mënyra e organizimit të dasmave shqiptare.

Vallja e Hasit, Foto: KALLXO.com

“Të them të drejtën nuk jemi për herë të parë në “Etno Fest”, është e treta apo e katërta herë kësaj radhe morëm ftesë për të prezantuar “Ritet e Dashurisë”, sipas sipas organizatorit që e ka organizuar dhe ne sot performuam me ritet e dasmës me vallet e dasmës hasjane duke e quajtur këtë kurorëzim i dashurisë”- u shpreh ai.

Për meritorët e punës artistike u ndanë çmime. Çmimi special dhe ai i karrierës iu nda Bajrush Mjakut.

“Unë jam i befasuar nga ajo çka është realizuar, kjo për vet faktin që ky organizim, ky festival ka arrit këtu ka bërë bujë por kur kam qenë këtu para sa viteve kanë qenë tre katër shtëpi nuk ka pasur rrugë , dhe të bëhet këtu në këtë fshat të humbur, të thellë të shndërrohet në një qendër të tillë kulturore unë vetëm mund ta përgëzoj Fadil Hysën dhe të gjithë ata të cilër e kanë përkrahë”  – tha ai.

Kryesuesja e jurisë, Zana Hoxha ndau çmimet e tjera. Për aktorin me të mirë u nominuan Ilire Vinca, Semire Latifit dhe Tringa Hasanit. Çimin e fitoi Ilire Vinca për shfaqjen “Babai dhe Babai”.

Për aktorin më të mirë u nominuan, Kushtrim Qerimi dhe Bujar Ahmetit. Çmimin e fitoi Bujar Ahmeti për shfaqjen “Babai dhe Babai”.

Etno-Fest 2022, Foto: KALLXO.com

Skenografi më i mirë u zgjedh, Bekim Korça për shfaqjen “Burrneshat” nga Teatri i Gjilanit.

Për vitin e ardhshëm tema e “Etno Fest” u propozua  të jetë “Liria”.