Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

(VIDEO) Art e traditë, “mes tokës dhe qiellit”

 

Mes maleve, për tokë e për qiell, për qiell e për dhe, në një shtëpi të vogël në fshatin Kukaj, po rijetësohet arti dhe kultura shqiptare.

Me këngë e valle, piktura e skulptura dhe performanca skeniko-muzikore, në mes të një ambienti tradicional, është hapur dekada e dytë e Festivalit të Arteve dhe Kulturës Tradicionale “EtnoFest.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Dikur i banuar vetëm nga tashmë 84-vjeçari Daut Xhemshiti, i cili nga gëzimi për festivalin na e këndoi një këngë të vjetër,  ky vend është rikthyer në mbledhës të artistëve e kulturave nga trojet shqiptare.

“Unë përpara jam kanë vet, e tash jam shumë i lumtur që kanë ardhë njerëz të shkollum, të veshun e të mathun, vajza të bukura kosovare e djem të bukur kosovarë”

“E priti unë me gëzim, veç me i pa vajzat edhe djemtë kosovarë që vijnë”

Përderisa dielli perëndonte, mes një audience artdashëse, mbrëmja e parë filloi nën emocionin e muzikës së sopranos Zana Abazi Ramadani, mezosopranos Elikona Hysaj dhe melodinë e pianos të intepretuar nga Melos Buza.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ndërsa, për t’i hapur udhë performancës skeniko-muzikore dhe ekspozitave të cilat kishin në fokus dheun, tokën e kulturën, u përkujdes Gresa Broqi, e cila e nisi ceremoninë nën melodinë e violonçelës.

Pas hapjes, të pranishmit u drejtuan kah performanca skeniko-muzikore e realizuar më një ambient me dhe të lagur, çka është edhe koncepti i festivalit: Dhe, tokë e qiell.

Në njërin qosh të oborrit të shtëpisë jepej performanca e balerinëve Vjollca Llugiqi dhe Fisnik Smani.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kurse dy pak hapa më larg, gjendeshin dy kuaj-skulpturë dhe pjesëtarët e grupit “Noa Dance Theatre Company” të cilët performonin nën muzikën e Arta Ahmetit.

Ani pse ka hapësirë të mjaftueshme për aktivitete, ky festival po e ndjen nevojën e dorës së shtetit për ta rikthyer fshatin Kukaj në një oazë kulturore ndërkombëtare.

Drejtori i Festivalit “EtnoFest”, Fadil Hysaj, tha që është i vetmi festival në Kosovë që ka infrastrukturën, skenat e veta dhe mjetet ekspozuese te veta dhe sot është një qendër rajonale e kulturës në të cilën mundet të relizohen shumë ngjarje kulturore, përfshirë edhe ngjarjet teatrore, etnoperformanca, koncerte, ekspozita, kulinari.

“Një farë mënyre jemi munduar ta ngjallim të kulturën përmes kulturës dhe artit në mënyrë që kultura shqiptare të ketë një identitet dhe të ketë një fizonomi që t’i tregojmë botës që jemi popull i vjetër, që nuk ka filluar historia me brezin e fundit, me qëllim që jo veç me i tregu botës por edhe njëri-tjetrit. Se një popull që i pren rrënjët e veta, ai s’ka të ardhme. Popujt e vjetër jetojnë aq sa nuk e harrojnë të kaluarën”, thotë Hysaj.

Ndërkaq gjatë ceremonisë së hapjes, pati persona të atillë që organizatorët e festivalit i mveshi me rolin e nanës.

“Para jush du me i lexu dy-tri fjalë të Halil Matoshit. Çka bënë një nanë, së pari krijon jetën e masandej bon gjithçka bon tjetër që ka aromë. Unë mendoj që Fadil Hysaj me këtë festival, me gjithë tjerët, nuk kanë bërë tjetër përpos atë që bënë një nanë. Kanë krijuar jetë dhe kanë ba gjithçka tjetër që ka aromë traditë kulturore e njeriut. Faleminderit EtnoFestit që na e ribënë jetën t’u na kthy te rrënjët tona”

Ndërkaq, ato që mbanin aromë tradite e kulture, ishin të renditura në muret e brendshme dhe të jashtme të shtëpisë, të cilat vizitoheshin një nga një vizitorët.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Njërin kënd e kishte zënë ekspozita e Sabri Behramaj “Burrat e dheut” e cila përmbante skulpturat e familjes Meha nga Prekazi. Pak hapa, brenda atij ambienti ishin të renditura pikturat shumëngjyrëshe të Halil Matoshit nën ombrellën e ekspozitës “Kujtesa e Ujit”.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ndërsa, sipër një dere të drurit, ishte e vendosur ekspozita e muzeut etnografik të fshatit Kukaj, muze i mbushur që nga fotografitë e deri tek artizanatet.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ndërsa në Teatrin gurë-gurë të EtnoFestit qëndronin të varura pikturat unike e të punuara me dhe nga Adem Kastrati. Sipër kësaj hapësire ishte hapur ekspozita “Hijet që vijnë” e Gani Bytyqit.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Në ballë të pjesës kryesore të oborrit, ishin varur pikturat e Vehbi Muratit “Emra të kësaj toke” të figurave me namë në Kosovë. E pjesën sipër ishin vendosur skulpturat e ekspozitës “Heshtja e tokës” nga Burim Gashi.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kurse, në mes katër mureve të një dhome të ngushtë,  ishin ekspozuar pikturat e Zake Prelvukaj me ekspozitën “Rregullat e reja”.

“Të them të drejtën unë shumë jam matë a me hap ekspozitën se janë disa karakteristika që ekspozita mundet të bie poshtë, se varet çka ka në prapavijë piktura. Por u ndjeva mirë sepse e gjeta një hapësirë të përshtatshme për pikturat e mia. Edhe a e di si, unë asnjëherë nuk kam tentuar që të arrij majat e artit dhe hapësirat që janë kumedit si. Ne jemi pjesë e këtij vendi dhe kësaj ngjarje. Kjo është traditë e jona dhe unë jam shumë me fat që jam sot këtu.”, tha Zake Prevlukaj.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Për të vazhduar tek pjesa ku mbahej organizimi qendror me muzikë e me valle, në njërën anë ishin vendosur pikturat e Jakup Ferrit, ekspozita “Në ujërat e Neadave”.  Të njëjtën hapësirë e ndante me pikturat e Jasmir Morinës “Identitet” me motive nga qilima dhe xhubleta shqiptare.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ndërsa në katin e dytë të shtëpisë gjendeshin modelime bucetash prej melle të figurave eminente shqiptare, ekspozitë e quajtur “Njerëz prej dheu” nga Agron Blakqori. E rrugës për tek kjo ekspozitë, mes dy kateve ishin vendosur pikturat e Theranda Sertollit, “Ngjyrat e Tokës dhe Ujit.”

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Përderisa terri kishte përfshirë tokën, pas vizitës së ekspozitave dhe ndjekjes së performancave muzikore dhe atyre skeniko-muzikore, festivali mori hovin popullor me valle e me ushqim tradicional shqiptar për disa orë radhazi, nën muzikën e këngëtares Nizafete Shala dhe grupit të saj.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com