‘Etno Fest’ shlyen obligimet, siguron mbështetje financiare për edicionin e 11-të

Edicioni i 11-të i Festivalit “Etno Fest” planifikohet të mbahet në 10-të ditët e fundit të muajit të ardhshëm në Kukaj të Prishtinës.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e ka mbështetur me 12 mijë euro organizimin e edicionit të 11-të të “Etno Festit”. Mbështetje kjo e cila nuk kaloi pa zhurmë, pasi në fillim MKRS nuk e mbështeti festivalin, por më pas ndërroj vendimin.

Organizatorët kanë planifikuar që edicionin e sivjetëm të këtij festivali ta mbajë nga 20 deri më 30 gusht 2021. Por shuma e dhënë nga MKRS për këtë vit për këtë festival, do të detyrojë organizatorët që të zvogëlojë numrin e ditëve dhe një pjesë të aktiviteteve të planifikuara.

Fadil Hysaj, drejtor dhe themelues i festivalit ‘Etno Fest” ka thënë për KALLXO.com se shuma e ndarë nga MKRS për këtë vit nuk mjafton për të mbuluar gjithë programin që ishte paraparë për edicionin e sivjetëm.

Ai ka thënë se festivali do të nisë më 20 gusht 2021.

“Kujtoj që kemi një program reprezentativ dhe është e pamundur për me e mbulu gjithë programin me mbështetjen që na është dhënë, dhe tani ne do të detyrohemi t’ i reduktojmë edhe ditët, sepse ne kemi planifikuar me pas dhjetë ditë program, dhe ta bëjmë një riprogramin të aktiviteteve të festivalit”, ka thënë Hysaj.

Sipas tij, këtë vit gjatë festivalit do të ketë ekspozita të ndryshme, koncertet, shfaqje teatrale, etno performancë, etj. Ndërsa, tema qendrore e caktuar nga organizatorët për festivalin është kulti i tokës dhe kulti i ujit.

Zhurma për mbështetjen

Përveç mbështetjes së pamjaftueshme Hysaj ka thënë se “Etno Festin” e ka dëmtuar edhe vendimin i preliminar i MKRS për mos mbështetje financiare.

Zyrtarë të MKRS-së kanë thënë për KALLXO.com se me rastin e publikimit të rezultateve preliminare për përkrahjen e projekteve kulturore për vitin 2021, OJQ “Sythi” që e organizon “Etno Festin” e kishte të pa mbyllur obligimin paraprak të përkrahjes financiare nga MKRS.

“Ndërkohë gjatë periudhës së ankesave, OJQ ‘Sythi’ ka përmbyllur të gjitha obligimet ndaj MKRS dhe ankesa e parashtruar është aprovuar meqë në momentin e verifikimit të avancit obligimet janë shlyer”, ka thënë për KALLXO.com, Zana Fetiu nga MKRS.

Por, Hysaj ka thënë se problemi me shlyerjen e obligimeve, ka ndodhur më shumë për faj të ministrisë. Ndërsa ka thënë se vendimi preliminar e ka dëmtuar  imazhin e festivalit.

“Kemi pasur cenim të madh të imazhit të një festivalit që e kemi ndërtuar me shumë mund, dhe një kompleks etnologjik më të madhin në Ballkan”, ka thënë Hysaj.

Festivali i Arteve dhe Kulturës Tradicionale, “Etno Fest” që nga 2009  mbahet në fshatin Kukaj të Prishtinës.