Foto: Urim Krasniqi/BIRN.

'Etno Fest', vlerëson gratë dhe diellin në edicionin e tij të 10-të

Edicioni i dhjetë jubilar i Festivalit të Arteve dhe Kulturës tradicionale ‘Etno Fest’ mirëpret mysafirët në fshatin Kukaj gjatë këtij vikendi.  

Pasi ishte shtyrë në muajin maj, edicioni i sivjetëm i ‘Etno Fest’ i dedikohet grave dhe diellit, dhe ofron një program të gjallë të ekspozitave, muzikës live, shfaqjeve teatrore, diskutimeve në panel dhe kuzhinës tradicionale mendjehapur (liberale) deri të dielën me 27 shtator. 

Duke folur për sfidat e organizimit të festivalit të këtij viti, Vlora Ademi, koordinatorja e festivalit tha për Prishtina Insight se ata nuk dëshironin që këtë festival ta mbanin online sepse, kësisoji, nuk do t’u ofronte drejtësi traditave të ‘Etno Fest’ dhe programit të tij gjithëpërfshirës.

Foto: Urim Krasniqi/BIRN
Foto: Urim Krasniqi/BIRN

Në natën hyrëse ditën e premtë, vizitorët endeshin nëpër rrugët e ngushta të fshatit Kukaj për të qenë pjesë në shfaqjet e muzikës dhe vallëzimit të vëna në skenë nëpër të gjithë fshatin.

Festivali zyrtarisht u hap me fjalimin e Vjosa Osmanit, kryetare e Kuvendit të Kosovës, e cila shprehu përkrahjen e saj lidhur me tematikën e festivalit.

“Të dyja janë thelbësore për jetën njerëzore”, tha Osmani. “Beteja jonë është të përmbysim konceptin e patriarkatit që i kufizon gratë në domenin shtëpiak, sepse nuk ka shoqëri të lirë pa gra të lira”.

Foto: Urim Krasniqi/BIRN

Fjalimi i Osmanit u pasua nga Etno ansambli me qendër në Has ‘Katerine Jospipi’ duke festuar moshën e pjekurisë përmes riteve dhe vallëzimeve tradicionale. Më vonë, valltarja e baletit Vjollca Llugiqi, e shoqëruar nga këngëtarja Elikona Hysaj, i bëri homazhe legjendës së Rozafës me performancën e saj ‘Gruaja e Themeleve’ (“Gratë e Fondacioneve”), ndërsa performanca skenike e drejtoreshës së FemArt, Zana Hoxha, “Gjuetarët e Artemidës” u shfaq premierë në pikën më të lartë të fshatit.

Fadil Hysaj, themelues dhe organizator i festivalit, i tha Prishtina Insight se fokusimi tematik tek gratë ishte i kombinuar me simbolin pagan të diellit sepse së bashku ata shprehin qëndrueshmërinë dhe vazhdimësinë e jetës.

“Burrat duhet të fillojnë një fushatë dhe të ngrenë zërin e tyre në lidhje me vlerën e grave, e cila është sublime”, tha Hysaj.

 

Foto: Urim Krasniqi/BIRN.

Duke filluar nga ora 12:00 e së shtunës, Kukaj do të organizojë një punëtori me koreografin Robert Nuha përgjatë gjithë ditës. Do të mbahet gjithashtu një debat me titull ‘Gratë në shtëpinë tradicionale shqiptare’, si dhe një shfaqje skenike me titull ‘Rozafa’ e cila bazohet në një tekst të Prima Shllakut dhe përfshin Donika Ahmetin, Vjollca Llugiqin dhe Prima Shllakun.

Pasditja vazhdon me shfaqje muzikore nga ansambli ‘Vitija Ethno’, një shfaqje e dokumentarit Etnografia Shqiptare e Kerçovës nga Illir Ramadani dhe këngë nga shoqata e grave ‘Besa’ nga Kerçova.

E shtuna përmbyllet me një shfaqje të pjesës teatrale ‘Balkanibalizem’, një monodramë me regji të Sabedin Selmanit dhe me aktoren Ajshe Useini, e përcjellur nga DJ që performojnë në Etno Party, ndërsa e diela gjithashtu përmban një program të plotë. Për më shumë informacion, vizitoni faqen e festivalit në Facebook.