Foto: KALLXO.com.

Nata e katërt e Festivalit "Etno Fest" i kushtohet dashurisë e erotikës

Diskutime për dashurinë, performanca skenike e muzikore kanë zënë vend qendror në natën e katërt të Festivalit të Arteve dhe Kulturës Tradicionale “Etno Fest” që po mbahet në Kukaj të Prishtinës.

Këngë dashurie dhe erotike janë kënduar brez pas brezi nga gjyshërit tanë, u tha gjatë diskutimeve në zonën e debateve që mbahen në kuadër të “Etno Fest”.

Gjatë debatit është diskutuar për dashurinë dhe këngët erotike në librin “Kangë erotike popullore” të Vlora Nikçit.

Për këngët popullore të dashurisë, forcën e tyre, folën shkrimtari nga Shkodra, Primo Shllaku, Vlora Nikçi e Fadil Hysaj.

Shkrimtari Primo Shllaku tha se erotika ishte përjashtuar për dekada me radhë nga letërsia artistike.

Ndërsa e ka quajtur si shumë me vlerë librin “Kangë erotike popullore” të Vlora Nikçit.

“Para se t’i futem ose t’i bie anash debatit për poezinë erotike ose për poezinë dashurore, Vlora Nikçi ka dalluar edhe terminologjinë, pse thotë erotike e jo dashurore, pra mundohet të stabilizojë edhe terminologjinë çka është një punë shumë e mirë se ne shpeshherë punojmë në këto fusha të reja me terma të improvizuar aty për aty” – tha Shllaku.

Fadil Hysaj tha se askush më mirë sesa libri ‘Kangë erotike popullore” i Vlora Nikçit nuk e ka prezantuar temën  e dashurisë.

“Vlora është më meritorja për një perlë të tillë që në njëfarë mënyrë ne nuk kemi guxuar për t’i kënduar ato këngë, “jo se marre”. Vlorës nuk i ka ardhë marre, i ka mbledhur dhe i ka tubuar në një libër shkëlqyeshëm të punuar me një dizajn luksoz dhe meriton të ruhet në bibliotekë, në vendin më meritor, aty ku e meriton dashuria” – tha Hysaj

Aktorja Vlora Nikçi tha se është mrekulluar kur nga gjyshërit e saj ka dëgjuar këngët e dashurisë të cilat janë përplot erotikë. Por, është ndjerë e befasuar se sa shumë pak dihej për to.

“Ne në trashëgiminë tonë kemi aq shumë këngë erotike, aq shumë dashuri, aq shumë i kanë kënduar dashurisë atëherë, pse duhet të kemi turp, po çka është më mirë se ta njohim veten tonë, e kur ta njohim veten, atëherë mbeten arsyet e fshehjes e të gjitha. Unë kam pasur fat, se gjyshërit e mi i këndonin erotikës dhe kur e panë se u dashurova, me këndonin kangë erotike” – tha Nikçi.

Debati është përcjellë me performancë muzikore e interpretim të këngëve të librit nga Shpejtim Kastrati, Rabije Kryeziu dhe autorja e librit, Vlora Nikçi.

Skena e teatrit e natës së 4-të ishte rezervuar për shfaqjen “Fuego” me regji të Fadil Hysajt, produksion i Teatrit ‘Adriana” të Ferizajt dhe SHKAS “Sythi”.

Për më shumë se 40 minutat, përmes situatave komike aktorët Bajrush Mjaku e Shpëtim Selmani sollën para publikut brengat e individëve në moshë të shtyrë.

“Teatri duhet të merret me përditshmërinë tonë, këta prototipat, dy personazhe që i interpretojmë unë edhe Shpëtimi, janë personazhe të cilët për çdo ditë mund t’i hasim nëpër shitore apo çdo lokal, njerëz të vetmuar, të cilët për shkak të vetmisë bëjnë gjithçka, që vetëm bindin dikë që të rri më të dhe ta shoqëron dy-tre orë apo humb tërë ditë më të”- tha Mjaku.

Kurse për aktorin tjetër, Shpëtim Selmani, shfaqjen e madhështoi loja e Mjakut.

“Nuk është hera e parë që vijë në ‘Etno Fest’ dhe gjithmonë e ndjejë një lloj kënaqësie me performu këtu. Ishte kënaqësi me performu me Bajrushin edhe pse në një moshë të shtyrë, mua më magjeps entuziazmi dhe pasioni i tij për punën. Mendoj që shfaqja komunikoi mirë më publikun dhe shpresoj që janë kënaq gjatë shfaqjes e cila në vetvete e trajton vetminë e individëve në moshë të shtyrë dhe inovacionin në komunikimet e përditshme në shoqërinë tonë” – thotë ai.

Nezafete Shala me grupin “Melodia e Vjetër” mbylli natën e katërt të “Etno Fest”-it.

Tingujt dhe këngët e vjetra qytetare të këtij grupi bënë që për orë të tëra vizitorët të mos ndërprisnin vallen në podiumin e skenës së amfiteatrit ku po mbahet festivali.

Foto: KALLXO.com.
Foto: KALLXO.com.
Foto: KALLXO.com.