Foto: Agim Aliu, Facebook

2 milionë e 250 mijë euro vlera e projektit për ndërtimin e objektit të ri të QKMF-së në Ferizaj

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu kanë nënshkruar Memorandum të Bashkëpunimit për ndërtimin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Ferizaj.

Vlera e këtij projekti është 2 milionë e 250 mijë euro.

Sipas njoftimi, Ministria e Shëndetësisë do të ndajë për këtë projekt 2 milionë e 25 mijë euro (90%), ndërsa Komuna e Ferizajt do të participojë me 225 mijë euro apo 10% të vlerës totale, si dhe merr përsipër koston shtesë në rast të tejkalimit të buxhetit të planifikuar.

Ministri Vitia ka thënë se ndërtimi i QKMF-së është në funksion të një infrastrukture moderne me synimin që të ofrojë shërbime sa më cilësore për qytetarët e Komunës së Ferizajt.

“Sot jam i lumtur që nënshkruam plotësim ndryshimin e marrëveshjes e cila qytetarëve të Ferizajt do t’ua bëjë të mundur në të ardhmen marrjen e shërbimeve shëndetësore në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare që është një projekt jashtëzakonisht i rëndësishëm për ta. Jemi siguruar që ky projekt në vlerë të 2 milion e 250 mijë euro, të realizohet pa vonesa dhe janë saktësuar përgjegjësitë e palëvë”- ka thënë Vitia.

Sipas njoftimit, kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, ka falënderuar Vitinë për bashkëpunimin dhe përkrahjen veçanërisht pasi që regjioni i Ferizajt ofron shërbime për një numër të madh të popullatës, duke përfshirë edhe komunat tjera përreth.

Takohen Agim Aliu e Arben Vitia, merren vesh për ndërtimin e objektit të ri të QKMF-së