Gjykimi për lëndim të lehtë trupor – Foto: KALLXO.com

Ferizaj, Gjykata e dënon me gjobë të akuzuarin për rrahje të gruas së axhës

Pas administrimit të provave dhe deklarimit të të pandehurit, Gjykata e Ferizajt e ka dënuar me gjobë prej 400 euro Xhemil Avdullahun, i akuzuar nga Prokuroria se e kishte rrahur gruan e axhës së tij, Bahrije Avdullahun.

Aktgjykimi u shpall nga gjyqtari i vetëm gjykues Ilir Bytyqi.

Në deklaratën e saj, e dëmtuara Bahrije Avdullahu tha se në ditën kritike ishte duke marrë disa rrënjë domatesh në pronën e një serbi në fshatin Bibaj të Ferizajt.

Ajo deklaroi se aty kishte ardhur djali i kunatit të saj, duke e ofenduar me fjalë banale dhe me një dru e ka goditur në këmbë dhe në kokë, pastaj e ka përplasur për tokë, duke ia kapur gishtin e dorës dhe duke ia dredhuar.

“Pasi më ka rrëzuar në tokë më ka goditur me shqelma dhe grushte, e pastaj ka ardhur vëllai i Xhemilit, Lavdimi dhe bashkëshorti im, Zekrijaja dhe menxi e kanë larguar nga unë Xhemilin. E gjitha kjo ka ndodhur në sy të vajzës time Bleartës. Ai në fund me ka thënë se do t’i vras djemtë e tu”, tha para Gjykatës e dëmtuara Bahrije Avdullahu.

Ndërsa, i akuzuari Xhemil Avdullahu, gjatë dhënies së mbrojtjes deklaroi se në ditën kritike ai ka qenë në punë dhe pastaj kur ka ardhur nga puna duke qëndruar në shtëpi me vëllain, Lavdimin, dhe kunatën e tij, kunata e tij, Adelina, i tregon se Bahrija ishte duke i prerë me sëpatë drutë në tokën e serbit, e cila sipas të akuzuarit menaxhohej prej tij.

Ai tha se ka dalë jashtë duke i bërtitur gruas së mixhës, Bahrijes dhe pastaj ajo ka filluar me sëpatë ta shkatërrojë shtëpizën e qenit të tij dhe nga ai moment i akuzuari tha se ka reaguar duke i thënë dil nga oborri im dhe në atë moment ka ardhur axha i tij, Zekrijaja dhe i ka thënë se do të rregullojë unë.

I akuzuari deklaroi se në asnjë moment nuk e ka prekur të dëmtuarën dhe nuk e pranon fajësinë.

Avokati i të pandehurit Xhemil Avdullahu, Rafiz Shehu, e mbështeti deklarimin e klientit të tij.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Ferizajt, të cilën e përfaqësoi prokurori i rastit, Besnik Nuredini, më 2 korrik 2018 rreth orës 18:00 në fshatin Bibaj, i pandehuri pas një fjalosjeje që kishte me të dëmtuarën Bahrije Avdullahu rreth disa druve që e dëmtuara i kishte prerë, fillimisht e ofendon me fjalë e pastaj me një shkop të drurit e godet në tërë pjesët e trupit dhe në këmbën e majtë, me ç’rast i shkakton dëmtime të lehta trupore me dëmtim të përkohshëm të shëndetit të përshkruar në ekspertizën mjeko-ligjore të datës 13.11.2018.

Me këtë, sipas Prokurorisë, Xhemil Avdullahu ka kryer veprën penale lëndimi i lehtë trupor.