Foto: RTV Dukagjini

Kryetari i Ferizajt për viktimat e aksidentit tragjik: Dy janë nga komuna e jonë, dy nga komuna e Shtimes  

Katër persona mbetën të vdekur ndërsa dy të tjerë mbetën të lënduar në aksidentin tragjik që ndodhi sonte në hyrje të Shtimes.

Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, tha se dy nga viktimat janë nga fshati Dremjak i Ferizajt ndërsa dy të tjerët nga komuna e Shtimes.

Aliu bëri të ditur se njëri nga viktimat ka qenë punonjës i Drejtorisë së Bujqësisë në Komunën e Ferizajt.

“Pa fjalë, të tronditur nga aksidenti i sontëm në magjistralen Ferizaj-Shtime, ku humbën jetën 4 bashkëqytetarë, dy prej tyre nga fshati Dremjak i Ferizajt e dy nga Komuna e Shtimes, në mesin e tyre edhe një punonjës i Drejtorisë së Bujqësisë në Komunën e Ferizajt”- ka shkruar ai.

Aliu u ka shprehur ngushëllime familjeve të viktimave.

 

Edhe kryetari i Shtimes, Qemajl Aliu, u ka shprehur ngushëllime familjeve të viktimave ndërsa tha se me pikëllim po i ndjek lajmet për aksidentin.

“Ditë e kobshme për komunën e Shtimes. Me keqardhje dhe pikëllim të madh po ndjek lajmet për aksidentin tragjik të ndodhur në hyrje të komunës së Shtimes, ku humbën jetën katër të rinj. Familjarëve të viktimave iu shpreh ngushëllimet më të sinqerta kurse lutemi që të lënduarit të shërohen sa më shpejt”- ka shkruar ai.

Prokurori Besnik Nuredini ka konfirmuar për KALLXO.com se dy qytetarët e lënduar janë çift bashkëshortor. Të dy janë transferuar për trajtim në QKUK, ndërsa është bërë e ditur se gjendja e gruas është e rëndë.

Nuredini tha se katër viktimat janë të gjinisë mashkullore dhe të moshave të ndryshme ndërsa që të katërt ndodheshin në makinën e njëjtë.

Prokurori jep detaje për viktimat e aksidentit tragjik në hyrje të Shtimes