Gjykimi ndaj zyrtarit të Policisë për marrje ryshfeti - Muhamer Miftari

Rrëfimi i qytetarit nga Shtimja që iu kërkuan 400 euro ryshfet që mos t`i merrej patentë shoferi

Muhamer Miftari, zyrtar policor, i cili së bashku me kolegun e tij Hyzer Dugolli ngarkohen nga Prokuroria se kanë pranuar ryshfet 400 euro, që mos t`i merrej patentë shoferi Bekim Rexhajt, është ballafaquar me rrëfimin e vet Rexhajt në gjykatë.

KALLXO.com kishte raportuar nga vendi i ngjarjes kur dy zyrtarët policorë ishin prangosur nga Inspektorati i Policisë.

Shtime, polici arrestohet për marrje ryshfeti

Në seancën e kaluar polici Hyzer Dugolli e ka pranuar fajësinë dhe është dënuar nga Gjykata me 9 muaj burgim efektiv dhe 500 euro gjobë.

Në të njëjtën seancë polici tjetër i akuzuar, Muhamer Miftari ishte deklaruar i pafajshëm.

Burg për policin që mori ryshfet

Sipas prokurorisë që në këtë lëndë e përfaqëson prokurori Veton Shabani nga data 05.09.2019 deri më datë 13.09.2019 në Shtime, të pandehurit Hyzer Dugolli dhe Muhamer Miftari në cilësinë e personave zyrtar si zyrtarë policorë në Shtime, kanë kërkuar ryshfet nga i dëmtuari Bekim Rexhaj.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë dy zyrtarët e Policisë nga Bekim Rexhaj kishin kërkuar 400 euro me qëllim të mos ekzekutimit të aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Ferizaj dhe të njëjtit mos t`i konfiskohej patentë shoferi për gjashtë muaj.

Dosja e Prokurorisë sqaron me datë 13.09.2019 rreth orës 12:45 në restorant “Globus’’ i pandehuri Hyzer Dugolli ka pranuar për vete dhe për kolegun e tij Muhamer Miftari katër kartëmonedha nga 100 euro të vendosura në një pako të cigareve nga i dëmtuari, me ç’rast nga ana e Inspektoratit të Policisë është arrestuar në flagrancë.

Dëshmitari Bekim Rexhaj tregoi në Gjykatë se si policët i kërkuan 400 euro, për të mos ia marrë lejen e vozitjes

Ai gjatë dëshmisë tha se Muhamer Miftarin e njeh që nga pas lufta.

“Krejt kjo ka ndodhur pasi që unë kam tejkaluar shpejtësinë, e pastaj gjykata më ka dënuar me gjobë në vlerë 105 euro dhe ndalesë për drejtim të automjetit për periudhën prej 6 muaj”, tha Rexhaj.

Ai tregoi për disa takime që ka pasur me policët Hyzer Dugolli dhe Muhamer Miftari, për t`ia mundësuar që të mos e dorëzoj patentë shoferin.

I njëjti në gjykatë tregoi se është i vetmi anëtar i familjes i cili ka lejen e vozitjes dhe i duhej shumë në atë kohë për të shkuar në Strugë sepse kishte për të marrë vëllain e tij.

“Dy zyrtarët policor, kanë ardh në lokalin tim të cilin e kam në Shtime dhe unë nuk kam qenë aty, por kanë biseduar me vajzën time, pastaj unë kam ardhur dhe policët më kanë pyetur ‘Sa pare i jep ti me kry na këtë punë`”, tha Rexhaj.

“Iu thash se 200 euro më shumë nuk kam, policët më thanë se duhet të bisedojmë me një person të besueshëm, dhe pastaj të tregojmë se a kryen punë ai me kaq para’’ tha ai.

Pas kësaj ngjarje dëshmitari rrëfeu se janë takuar prapë në Petrovë, një fshat në Shtime afër shtëpisë së tij, dhe nga aty kanë shkuar për kafe.

“Aty Hyzer Dugolli më tha se ‘nuk është reni i 200 eurove’, dhe më tha se ‘ai personi i tretë ka kërkuar rreth 700 – 800 euro’”, tha Rexhaj.

Aty dëshmitari tregoi se ju ka thënë policëve merreni patentë shoferin sepse unë nuk kam kaq para.

“Hyzeri më tha ‘pa të pyetur ty ne ia kemi folur atij personit 400 euro për t’u kry kjo punë, por me që t`i nuk ke, ne mund t’ia bëjmë kështu unë i jap 200 euro dhe Muhameri 200 euro pastaj t`i na i kthen neve’”, tregoi dëshmitari Rexhaj.

“Kur mu ofrua kjo mundësi unë pranova. Pastaj ka pasur një takim tjetër me policët të cilët kërkuan të gjitha paratë… Unë iu kam thënë se marrëveshja ka qenë që pagesa të kryhet me rata”, tha ai.

“Unë kam gjetur një numër kontaktues të Inspektoratit të Policisë së Kosovës, dhe vajza ime ka biseduar ia ka treguar ngjarjen. Pastaj e kemi bërë marrëveshjen me Inspektoriat dhe paratë të cilët ia kam dhënë Hyzerit kanë qenë të Inspektoratit”, tha dëshmitari Rexhaj.

Në seancën e radhës u vendos që si dëshmitar të ftohet Hyzer Dugolli, i cili ishte i bashkakuzuar me Muhamer Miftarin, por i njëjti është dënuar pas pranimit të fajësisë.