Arkiv -Enver Sekiraqa - Foto: KALLXO.com

Enver Sekiraqa ri përmend politikën, thotë se nuk e ka vrarë Triumf Rizën

Enver Sekiraqa, i akuzuar për nxitje të vrasjes së policit të Kosovës, Triumf Riza, ka dhënë mbrojtjen e tij.

Sekiraqa në pyetjen e avokates së tij Kosovare Kelmendi deklaroi se mbetet pranë deklaratave të dhënë në fazat e më hershme.

“Mbetem në tërësi pranë asaj çka kam thënë pranë trupit gjykues, para prokurorit, s’kam pasur të bëjë asgjë me Triumfin, as nuk më ka interesu me kënd ka nejt, as çfarë ka bërë, as me kënd u rreh, i kom pas punët e mia , këto janë krejt qëllime politike” tha Sekiraqa.

Më pas avokatja Kosovare Kelmendi tha se nuk ka pyetje të tjera për të mbrojturin e saj, me kërkesën për të rezervuar të drejtën për rimarrje në rast nevoje.

Kurse Prokurori special Haki Gecaj kërkoi nga trupi gjykues që seancën e sotme ta shtyj për një datë tjetër me arsyetimin se i duhet kohë për ta përgatitur marrjen në pyetje të të akuzuarit.

Më pas kryetari i trupit gjykues Shashivar Hoti e aprovoi kërkesën e prokurorit dhe seancën e shty për ditën e nesërme.

Enver Sekiraqa akuzohet për nxitje në vrasjen e ish-policit Triumf Riza dhe për detyrim. Për këto vepra ishte dënuar me 37 vite burgim nga Gjykata Themelore në Prishtinë por Gjykata e Apelit rastin e kishte kthyer në rigjykim.

Për vrasjen e policit Riza, Arben Berisha është dënuar me 35 vjet burg pasi është gjetur fajtor në akuzën se ka qenë ai që e ka vrarë Triumf Rizën në vitin 2007 në lagjen ‘Santea” më Prishtinë.

KALLXO.com e ka përcjellë në tërësi gjykimin e Sekiraqës dhe dosja e plotë e këtij procesi mund të gjendet këtu.