Ekspertët: Jo Transformim pa ‘Amin’-in e Partnerëve Ndërkombëtarë

Ekspertët e sigurisë vlerësojnë se Kosova duhet të bëjë përpjekje të mëtejme për të bashkërenduar me partnerët ndërkombëtarë veprimet për transformimin e FSK-së. Sipas tyre, vendimet e njëanshme rrezikojnë ta fusin vendin në “rrugë pa krye”.

Lidhur me paralajmërimin e Ambasadës amerikane dhe të NATO-s se nëse ndryshohet mandati i FSK-së ashtu siç ka propozuar presidenti Thaçi do të rishikohet mbështetja për këtë forcë, eksperti ushtarak, Naim Maloku, thotë se kjo nuk është asgjë e re ngase ky ka qenë qëndrim i vazhdueshëm i të gjithë eksponentëve ndërkombëtarë.

“Ata gjithmonë e kanë cekur se shndërrimi i FKS-së në ushtri duhet të shkojë përmes ndryshimeve kushtetuese”, theksoi ai.

Por, sipas Malokut, transformimi duhet të bëhet vetëm në marrëveshje me faktorin ndërkombëtar.

“Deputetët e Kosovës të të gjitha partive politike duhet të ballafaqohen me këtë fakt e mos ta rrejnë më votuesin e vet. Mos ta rrejnë më popullin se munden të bëjnë diçka pa lejen e KFOR-it në Kosovë”, tha ai për KALLXO.com.

Ndërsa eksperti i sigurisë, Burim Ramadani, thotë se problem kryesor është kontestimi dhe se nëse vendi bën transformim të njëanshëm, Kosova mund të futet në rrugë pa krye.

“Problemi kryesor është kontestimi. Nëse ka kontestim të ushtrisë nga NATO e ShBA atëherë mundemi me u futë në një rrugë pa krye, ku Kosova mundet me thënë që ka ushtri, e ajo ushtri mos me u njohtë prej askujt”, tha ai.

Ramadani sugjeron se nuk duhet të vendoset për diçka që paraprakisht dihet që nuk e ka mbështetjen e ShBA-së dhe të NATO-s.

Por, ai insiston se përpjekjet për ta bindur faktorin ndërkombëtar nuk duhet të ndalen.

“Përpjekjet për t’i bashkërenduar veprimet për ndryshimin e misionit të FSK-së janë përpjekje që duhet të vazhdojnë. Kosova që të hyjë në NATO na duhet që ushtria të mos na kontestohet nga NATO dhe si e tillë nuk besoj që duhet me marr veprime të pakoordinuara, por nuk besoj duhet me u ndal përpjekjet”, tha Ramadani.

Ambasada e ShBA-së në Kosovë theksoi sot se Shtetet e Bashkuara e mbështesin transformimin e FSK-së por kjo duhet të bëhet gradualisht dhe sipas Kushtetutës së vendit.

Ambasada paralajmëroi institucionet e Kosovës se nëse vazhdojnë me procedimin e Projektligjit mund të mbeten pa mbështetjen afatgjate të ShBA-së për FSK-në.

http://kallxo.com/shba-e-shqetesuar-me-projektligjin-e-ri-per-fsk-ne/

Edhe Aleanca Veri-Atlantike e kundërshtoi idenë e presidentit Hashim Thaçi për ndryshimin e misionit të FSK-së përmes ndryshimit të Ligjit për FSK-në.

http://kallxo.com/nato-kundershton-idene-e-thacit-per-fsk-ne/