Emërohet Inspektori i Përgjithshëm i AKI-së pas dorëheqjes së Burim Ramadanit

Inspektori i Përgjithshëm i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Burim Ramadani ka dhënë dorëheqje nga pozita e tij, ndërsa institucionet kanë emëruar menjëherë pasardhësin e tij, Kujtim Shala.

Kështu ka njoftuar sot Presidenca e Kosovës në një komunikatë për media.

“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti sot janë njoftuar nga Inspektori i Përgjithshëm i deritashëm i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, z. Burim Ramadani për dorëheqjen e tij nga kjo pozitë” – thuhet në njoftim.

Pas dorëheqjes së Ramadanit, Osmani dhe Kurti kanë emëruar Inspektorin e ri të Përgjithshëm të AKI-së.

Insepktor i ri është emëruar Kujtim Shala.

“Pas konsultimeve, Presidentja Osmani dhe Kryeministri Kurti kanë emëruar Inspektor të ri të Përgjithshëm të AKI-së, z. Kujtim Shala, i cili deri më tani ishte i angazhuar në Forcën e Sigurisë së Kosovës”- thuhet tutje në njoftim.

KALLXO.com ka tentuar të kontaktojë me Ramadanin por deri në publikimin e këtij artikulli i njëjti nuk ka qenë i qasshëm.

Ish-inspektori i Përgjithshëm Burim Ramadani ka qenë në krye të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë që nga viti 2019.