Musliu deklarohet pas raportimit të Inspektorit të përgjithshëm të AKI-së

Deputetja e Partisë Demokratikë të Kosovës, Ganimete Musliu ka folur lidhur me ftesën që është bërë Inspektorit të përgjithshëm të AKI-së Burim Ramadani nga e Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Musliu ka thënë se kjo temë ka qenë pjesë e diskutimit në mbledhjen e sotme të Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.

Ajo ka thënë se Ramadani është përgjigjur pozitivisht ftesës dhe ka përfunduar procesin intervistues.

“Do të ishte e paarsyeshme që të kaloj raportimi pa u ndal te Specialja. Krejt çka mundem me nda me ju mund të them se Ramadani është përgjigjur ligjërisht dhe instutucionalisht një institucioni siç është Gjykata Speciale dhe ka përfunduar procesin intervistues ose i është përgjigjur pozitivisht ftesës”, ka thënë Musliu.

Agjencia Kosovare e Inteligjencës me 23 maj ka njoftuar se Inspektori i Përgjithshëm i saj, Burim Ramadani është ftuar si dëshmitar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Sipas njoftimit të AKI-së, në fletëthirrjen e Ramadani thuhet se ai është kërkuar që të ofrojë detaje në lidhje me lokacionin e tij fizik dhe gjeografik gjatë kohës se luftës, dhe të ofrojë dokumentacion përfshirë këtu edhe fotografi dhe të dhëna tjera nga periudha nga 1 janar 1998 deri 31 dhjetor 2000.

“AKI njofton opinionin publik se Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dërguar fletëthirrje për dëshmitar për Inspektorin e Përgjithshëm të AKI, z. Burim Ramadani.Në fletëthirrje precizohet se z. Ramadani urdhërohet të paraqitet si dëshmitar për t’u marrë në pyetja nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, në datën e caktuar, dhe në fletëthirrje nga ai është kërkuar që “të ofrojë detaje në lidhje me lokacionin e tij fizik dhe gjeografik gjatë kohës se luftës, dhe të ofrojë dokumentacion përfshirë këtu edhe fotografi dhe të dhëna tjera nga periudha nga 1 janar 1998 deri 31 dhjetor 2000”, bënë të ditur AKI.

Inspektori i Përgjithshëm i AKI-së ftohet nga Zyra e Prokurorit të Specializuar si dëshmitar