EKSKLUZIVE: Çfarë u gjet në ushqimin e restorantit ku dyshohet se u helmuan gjilanasit

Salmonella Enteritidis, Saphylococcus aureus, Escheriehia coli dhe bakteret koliforme janë disa nga bakteret që u gjetën në ushqimin e restorantit ‘Garden’ ku dyshohet se u helmuan dhjetëra persona në Gjilan.

Këto rezultate dolën nga analizat që ishin bërë në laboratorët e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik në kuadër të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë.

Rreth 45 persona janë hospitalizuar brenda dy ditësh me simptoma helmimi të cilët deklarojnë se ishin ushqyer në restorantin ‘Garden’ në Gjilan.

KALLXO.com kishte raportuar të dielën për gjashtë persona të helmuar që ishin lajmëruar në polici dhe që u bënë shkak i nisjes së hetimeve nga organet kompetente.

Kuzhina e këtij restoranti pas këtij rasti u mbyll me vendim të prokurores së rastit dhe inspektorëve komunalë duke pritur rezultatet e mostrave të ushqimit që janë dërguar për testim në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë.

Ndërsa sipas menaxherit të këtij restoranti, Ekrem Behluli, kuzhina e këtij restoranti me leje të inspektoratit është hapur sot.

Behluli tha se rezultatet e këtyre analizave nuk kanë përputhje me shkakun e helmimit të personave.

Lamir Thaçi, zëdhënës në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë tregoi për KALLXO.com rezultatet e analizave të ushqimit të marrë si mostër në kuzhinën e këtij restoranti.

“Mostrat e ushqimit të  marra nga restoranti në të cilin është dyshuar për helmim të disa qytetarëve në komunën e Gjilanit, kanë rezultuar pozitive në disa baktere, të cilat mund të konsiderohen si shkaktar të helmimit”, tha Thaçi.

Ai tregoi se bakteret si  Salmonella Enteritidis, Saphylococcus aureus, Escheriehia coli dhe bakteret koliforme u gjetën në sallata dhe sos të kërpudhave në këtë restorant.

“Sot kemi pranuar raportet e analizave të laboratorit për mostrat e dërguara për analiza,  disa prej tyre kanë rezultuar pozitive në prezence të disa baktereve siç janë: Salmonella Enteritidis, Saphylococcus aureus, Escheriehia coli dhe bakteret koliforme. Llojet e produkteve të cilat kanë rezultuar pozitive janë: sallat e përzier dhe sos kërpudhash”, tha Thaçi.

Prokurorja e rastit, Leonora Shemsiu tha për KALLXO.com se nuk ka një raport përfundimtar lidhur me çështjen.

“Janë kthyer disa analiza por akoma një raport përfundimtar nuk e kemi. Sa i përket lokalit në vazhdimësi inspektorati ka bërë kontrolle. Analizat e fundit e fundit që kanë dalë mirë, nuk ka rrezik, ende nuk ka vendim për hapjen e lokalit”, tha Shemsiu.

Sipas AUV-it është bërë edhe intervistimi i pacientëve që ankohen nga helmimi.

“Përveç këtyre rezultateve inspektori ka intervistuar edhe pacientët e shtrirë mbi shenjat klinike të tyre dhe ka konsultuar raportet e mjekëve bazuar në gjithë anamnezën e rastit ka vendosur për llojin e mostrave dhe parametrat të cilët duhet testuar. Inspektori gjatë gjithë kohës ka mbajtur nën monitorim restorantin për të vlerësuar zbatimin e masave të dhëna. Pas nxerrjes  së rezultateve inspektori do të vazhdojë me procedurat tjera ligjore ndaj operatorit të biznesit”, tha tutje Thaçi.

Menaxheri i restorantit ‘Garden’, Ekrem Behluli që është edhe bashkëshorti i pronares së lokalit, Ganimete Behluli, tha për KALLXO.com se ka dyshime në shkakun e helmimeve.

“Për momentin ne kemi filluar punën, është çelur kuzhina. Ato bakterie që janë gjetur te pacientët, nuk del që është i njëjti baktere apo virus. Unë prapë nuk jam i kënaqur me rezultatet kur higjiena, mishi kanë dalë perfekt. Kemi klientë që nuk kanë ngrënë sallatë hiç edhe kanë probleme”, tha Behluli.

Ai po ashtu konsideron se kjo mund t’i jetë bërë për dëmtim të biznesit që sipas tij po ecte shumë mirë para kësaj ngjarje.

“Në kuzhinë bakteri nuk ka qenë prezent, në asnjë lloj të mishit nuk ka qenë prezent vetëm në sallatë. (Inspektorati) e kanë lejuar punën në kuzhinë. Meqë nuk kanë gjetur në kuzhinë askund atë lloj të bakteries nuk ka qenë e arsyeshme me mbajtë mbyllur. Kemi qenë më të mirët në Gjilan me punë”, tha Behluli.

KALLXO.com kishte raportuar mbi veprimet e Prokurorisë së Shtetit pas raportimeve për helmim masiv të qytetarëve të Gjilanit.

Ekskluzive: Detajet e helmimit masiv në Gjilan