Komuna e Malisheves. Malisheve. 28.05.15 Photo: Atdhe Mulla

Drejtori i Shëndetësisë në Malishevë jep detaje pas helimimit të dhjetëra qytetarëve në një lokal

Drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Komunën e Malishevës, Hajdin Berisha ka thënë se janë duke e monitoruar nga afër gjendjen e pacientëve që u helmuan mbrëmjen e kaluar me ushqim në një lokal.

Sipas tij gjendja e pacientëve është nën kontrollë ndërsa shtoi se edhe gjatë ditës së sotme ka pasur paraqitje të rasteve të reja për shkak të helmimit.

“Askush nuk mundet të na shpërqëndroj nga menaxhimi efikas i kësaj gjendje të krijuar, madje as zërat që vijnë nga postimet që lansohen e që janë të paartikuliara. Kontrolli sanitar i restauranteve dhe lokaleve të ngjashme është detyrë dhe përgjegjësi e AVUK”- ka shkruar Hajdini në Facebook.

Tutje ai tha se të gjithë mekanizmat që qeveria komunale i ka në dispozicion, i ka mobilizuar që nga mbrëmë kur kanë filluar të lajmërohen pacientët me simptoma të helmimit.

“Së bashku me Drejtorin e QKMF-së, Dr. Afrim Krasniqi, menjëherë e kemi mobilizuar stafin shtesë të profesionistëve shëndetësor dhe stafin tjetër mbështetës, vozitës të autoambulancave e në mesin e tyre janë mobilizuar për shkak të nevojës dhe kërkesave edhe vozitës të administratës komunale”- thotë tutje Berisha.

Ai ka kërkuar nga organet kompetente që të zbardhin rastin në tërësi.

Në raportin ditor të policisë, thuhet se rasti tashmë është iniciuar si prodhim, vënie në qarkullim të artikujve të dëmshëm ushqimor.

Fillimisht në raport thuhet se informacioni është marrë nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Malishevë të cilët kanë thënë se rreth orës 17:00 e deri në mesnatë kanë kërkuar ndihmë mjekësore rreth 63 persona nën dyshimin se janë infektuar nga ushqimi në një lokal në Malishevë.

Tre prej pacientëve që kanë kërkuar ndihmë mjekësore janë dërguar në QKUK për tretman të mëtutjeshëm mjekësor.

Lidhur me rastin është arrestuar pronari i lokalit i dyshuari mashkull kosovar dhe me vendim të prokurorit kujdestar, i dyshuari është dërguar në mbajtje.