Helmimi në Malishevë, Prokuroria kërkon paraburgim për pronarin e lokalit

Prokuroria e Gjakovës ka njoftuar se është marrë aktvendim për fillimin e hetimeve ndaj pronarit të lokalit, në të cilin dyshohet se u helmuan mbi 100 persona në Malishevë.

Sipas njoftimit, Prokuroria ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh për të pandehurin K.SH.

I njëjti po akuzohet për veprën penale “Prodhimi dhe vënia në qarkullim e artikujve të dëmshëm ushqimorë”.

Sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri K.SH, sipas hetimeve të Prokurorisë dhe të dhënave nga Policia,  rezulton që në restorantin e të dyshuarit si pasojë e konsumimit të ushqimeve janë helmuar mbi 100 persona.

Numri i personave të helmuar nga ushqimi në një lokal në Malishevë ka shkuar 158. Kështu ka bërë të ditur Komuna e Malishevës, derisa ka thënë se situata aktualisht është nën kontroll.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka asgjësuar 64 kilogramë produkte mishi në lokalin ku dyshohet se u helmuan dhjetëra qytetarë në Malishevë, ndërsa lokali është mbyllur përkohësisht.

Shkon në 158 numri i të helmuarve nga ushqimi në një lokal në Malishevë