Prishtinë, dyshime për helmim të disa personave, Inspektorati mbyll subjektin ku ishte përgatitur ushqimi

Disa raste të dyshuara të helmimit nga ushqimi janë paraqitur në fshatin Trudë të Prishtinës.

Helmimi dyshohet të ketë ndodhur pasi një familje në këtë fshat kishte porositur ushqim për 85 persona që kishin marrë pjesë në një të pame më 3 shtator.

Kryeinspektori i Agjencisë së Veterinës dhe Ushqimit, Ibrahim Tërshnjaku ka thënë për KALLXO.com se subjekti nga i cili kanë marrë ushqimin është mbyllur përkohësisht.

Tërshnjaku ka njoftuar se numri i të personave që kanë konsumuar këtë ushqim është mbi 65 veta.

“Pas marrjes së informatës, Inspektorati ka dalur në vendin e ngjarjes në QMF e që më pas kanë dërguar ekipe bashkë me IKSHPK dhe Policinë. Kanë marrë mostra ku është përgatitur ushqimi. I kemi mbledhur të gjitha informatat. Subjektit është mbyllur përkohësisht. Lënda do të gjurmohet nga IKPShPk se cili ka qenë shkaktari që ka shkaktuar këtë helmim. Në fillim është menduar që është COVID-19 pasi janë simptomat e njëjtja. Por pas testimit negativ të tyre është konstatuar nga mjeku si të dyshuar për helmim”, ka thënë Tërshnjaku.

Ndërkaq në raportin e QKMF-së thuhet se sot janë paraqitur në QMF në Besi 17 raste simptoma vjellje, barkëqitje, dhimbje e muskujve, ethe dhe temperaturë.

“Numri i pacientëve të paraqitur ishin 17 raste, 5 prej tyre janë referuar në QMF VII Emshir për testin antigjen rapid si suspekt për COVID-19. Të gjithë nga pacientët kanë rezultuar negativ, janë kthyer në QMF Besi ku edhe janë trajtuar me terapi paraentrale, kurse rastet më të lehta janë trajtuar me terapi orale si suspekt intexicatic alimentaris dhe janë kthyer në shtëpi. Pacientët të cilët janë trajtuar me terapi paracentrale si raste më të rënda i kemi referuar për hulumtim të mëtutjeshme në klinikën infektive për diagnostifim të plotë në bashkëpunim me IKSHPK”, thuhet në raport.