Rexhep Qosja. Foto: Facebook

Edhe Rexhep Qosja Refuzon Dekoratën e Presidentit Thaçi

Akademiku dhe letrari, Rexhep Qosja, është personi i radhës i cili ka refuzuar të pranojë dekoratën e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, të ndarë për nder të 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

“E refuzoj sepse është çmimi i dhënë prej një regjimi, i cili me politikën e brendshme dhe me politikën e jashtme i ka sjellë dhe po i sjell shumë dëme dhe komprometime shtetit të Kosovës sot”, ka shkruar Qosja në profilin e tij në Facebook.

Rexhep Qosja ishte pjesë e listës së të dekoruarve me Medaljen Presidenciale në 10-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës për pjesëmarrje në Konferencën e Rambujesë e të Parisit për Kosovën në vitin 1999.

Qosja në postimin e tij ka radhitur herët kur kishte mbrojtur UÇK-në dhe luftën e saj por sipas tij ata nuk janë më të njëjtit pas luftës.

“Por, ja, pas luftës, ata nuk janë ata që ishin dhe nuk janë as me dëshirat e as me idealet e tyre. Gatishmërinë e sakrificës e kanë zëvendësuar me përkushtimin ndaj përfitimeve. Idealin e lirisë e kanë zëvendësuar me idealin e pasurisë. Idealin e bashkimit kombëtar, të bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, e kanë zëvendësuar me idealin feudal të kombit kosovar”, ka theksuar Qosja.

Akademiku Qosja është shprehur se nuk e pranon këtë dekoratë sepse është në kundërshtim me mendësinë e tij, me konceptin tij për demokracinë, me domethënien, me humanizmin dhe me etikën sociale të krijimtarisë së tij shkencore, publicistike e letrare artistike.

Përpos Rexhep Qosjes dekoratat e presidentit Hashim Thaçi i kanë refuzuar edhe Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi, Veton Surroi.

http://kallxo.com/rexhep-selimi-refuzon-dekoraten-e-hashim-thacit/

http://kallxo.com/jakup-krasniqi-refuzon-dekorimin-nga-thaci/

http://kallxo.com/surroi-per-thacin-pandershmi-nuk-mund-te-nderoj/