Rexhep Qosja. Foto: Facebook

Rexhep Qosja: Handke, shkrimtar shovinist

Akademik Rexhep Qosja ka reaguar pas bërjes publike të lajmit se fitues i sivjetmë i çmimit “Nobel” për Letërsinë është shpallur austriaku, Peter Handke.

Në një prononcim për KALLXO.com, akademik Qosja ka thënë se ka mbetur i befasuar se si mund t’i jepet çmimi Nobel një shkrimtari shovinist, siç është Peter Handke.

Akademik Qosja ka thënë se ka mbetur i befasuar nga lajmi që çmimi Nobel i është ndarë një përkrahësi të Millosheviqit, njeriut që sipas tij u ka shkaktuar tragjedi të panumërta popujve në Kosovë, në Bosnje e Hercegovinë dhe në Kroaci.

“Jam i befasuar pamatshëm si mund t’i jepet çmimi Nobel një shovinisti, një shkrimtari shovinist i cili me përkrahjen e tij ndaj Millosheviqit dhe regjimit të tij ka dëshmuar edhe urrejtjen ndaj popujve mbi të cilët Millosheviqi ka ushtruar dhunën e terrorin e tij”, ka thënë Qosja.