Edhe djali i Ukshin Hotit përkrah vendimin e Veselit

Deputeti i PDK-së, Andin Hoti e ka përkrahur vendimin e shefit të partisë, Kadri Veseli për largimin e personave të kësaj partie nga pozitat partiake dhe institucionale  të cilët kanë aktakuza.

Hoti në një bisedë për KALLXO.com tha se ky vendim ka qenë i pritur dhe i paralajmëruar kohë më parë.

“Aktakuza edhe pse nuk e bënë fajtor askënd pa vendim të prerë, si e tillë e ka dëmtuar imazhin e institucioneve tona, dhe besimin e qytetarëve.  Vendimi i z. Veseli është edhe një hap drejtë Bashkimit Evropian dhe drejt plotësimit të kritereve të saj, duke rikonfirmuar që PDK po e lufton korrupsionin, krimin dhe nepotizmin”, tha ai duke shtuar se ky vendim ishte për të mirën e rinisë.

“Unë mendoj që kjo është edhe një hap për t ‘mirën e Rinisë sonë, e cila ka filluar të humb besimin e rrjedhimisht shpresën për një të ardhme në atdhe, prandaj kjo e rikthen besimin tek të rinjtë. Deri më sot, kemi dëgjuar më mijëra fjalime për luftën kundër korrupsionit, por vepra rrallë herë, prandaj ky vendim konfirmon që Kryetari Veseli është një lider i guximshëm dhe me vizion të qartë për një të tashme dhe të ardhme më të mirë për vendin tonë”, tha Hoti.

Deputeti i PDK-së u shpreh i bindur se partia e tij janë duke punuar në fuqizimin e shtetit.

“Ne jemi të vendosur që të bëjmë Kosovën shtet të fuqishëm, na e obligon e ardhmja, e tashmja dhe e shkuara e lavdishme e popullit tonë.  Kemi humbur shumë kohë, prandaj edhe minutat janë të vlefshme”, shtoi Hoti.

Ai po ashtu theksoi se edhe partitë e tjera duhet të ndjekin shembullin e PDK-së.

“Partitë Politike në Kosovë do të duhej të ndjekin shembullin e Kryetarit të PDK-së z. Veseli, por natyrisht për vendime të tilla nuk mjafton vetëm pozita e kryetarit, duhet guxim të madh dhe vizion të qartë.  Qytetarët e Kosovës meritojnë një jetë më të mirë, një shpresë dhe siguri për të ardhmen e tyre, sepse fundja e kanë fituar me gjakë e shumë mund”, tha në fund Andin Hoti.

Veseli këtë vendim për largimin e personave me aktakuza nga pozitat udhëheqëse në instuticionet publike e ka marrë gjatë ditës së djeshme dhe është përkrahur nga bashkëpartiakët dhe shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Natalyia Apostolova.

https://kallxo.com/bekim-haxhiu-komenton-vendimin-e-veselit/

https://kallxo.com/apostolova-partite-tjera-te-ndjekin-shembullin-e-kadri-veselit/

 

Por është kritikuar nga deputetët e opozitës.

https://kallxo.com/deputeti-i-ldk-se-apostoloves-nese-te-pelqen-shembulli-i-veselit-prezantoje-ne-shtetin-tend/

Ndërsa, sot është liruar nga detyra nga kryeministri Ramush Haradinaj, ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj.