Kosova bëhet anëtare e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka njoftuar se Republika e Kosovës është bërë anëtare e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP).

Sipas njoftimit të ministrisë në Facebook, sot, zëvendësministri i Punëve të Jashtme Kreshnik Ahmeti, i shoqëruar nga Kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur, Andin Hoti, dhe Ambasadori i Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Holandës, Dren Doli kanë dorëzuar instrumentet e aderimit të Republikës së Kosovës  në Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (International Commission on Missing Persons) me seli në Hagë.

Kjo shënon hapin përfundimtar për anëtarësimin e Republikës së Kosovës si anëtare në këtë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare.

“Në ceremoninë e organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Holandës  për dorëzimin e instrumenteve për aderimin e Republikës së Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare,  zëvendësministri, z. Ahmeti, falënderoi Drejtorin e Divizionit të Traktateve, z. Jules van Eijndhoven për rolin konstruktiv të Qeverisë së Mbretërisë së Holandës, si shtet depozitar për konventën mbi themelimin e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur”- thuhet në njoftimin në Facebook.

Tutje në njoftim bëhet e ditur se Ahmeti ka falënderuar zyrtarët e pranishëm të ICMP për angazhimin dhe kontributin e tyre shembullor në Kosovë për më shumë se dy dekada.

“Z. Ahmeti njëherësh përsëriti përkushtimin e Republikës së Kosovës në promovimin dhe avancimin e rolit të kësaj organizate të  shprehur në takimin me Drejtoren Ekzekutive të Komisionit, z. Kathryne Bomberger, të mbajtur më 22 Maj të këtij viti, me ç ‘rast Komisioni ishte njoftuar për hapat që Republika e Kosovës kishte ndërmarr për t’u bërë pjesë e kësaj organizate”- thuhet tutje në njoftim.

Tutje në njoftimin e Ministrisë sqarohet se Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur është organizatë ndër-qeveritare e themeluar në vitin 1996, e cila adreson çështjen e personave të zhdukur në rrethana të konflikteve të armatosura, shkeljes së të drejtave të njeriut, fatkeqësive natyrore, krimit të organizuar, migrimit ilegal, etj.

Komisioni ka selinë në Mbretërinë e Holandës, në qytetin e Hagës, dhe është e vetmja organizatë ndërkombëtare e ngarkuar ekskluzivisht për të punuar në çështjen e personave të zhdukur.

Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur ka qenë i angazhuar intensivisht edhe në Kosovë, përgjatë dhe pas luftës së fundit, duke luajtur një rol të jashtëzakonshëm në zgjidhjen e rasteve të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, dhe ofrimin e mbështetjes së nevojshme në procesin e identifikimit e mbetjeve mortore përmes përdorimit të metodave shkencore të identifikimit.

Në prill të këtij vitit në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, është arritur dakordimi për deklaratën për personat e zhdukur në Kosovë.

Kur lufta e fundit në Kosovë 1998-1999 përfundoi, gjithsej 6,044 persona u regjistruan si të zhdukur. Pak më shumë se 23 vjet më vonë, më shumë se 1,600 prej tyre, kryesisht shqiptarë etnikë, por edhe serbë dhe romë, ende nuk janë gjetur.

Kosova instensifikon kërkimet për të zhdukurit e kohës së luftës