Dyert e Mbyllura për Mjekët e Refuzuar në Specializim

Qysh në orët e hershme të mëngjesit, mjekët e pakënaqur me rezultatet e konkursit për specializim kanë protestuar edhe njëherë te Ministria e Shëndetësisë.

Konkursi i fundit për specializim ka ngjallë pakënaqësi të shumta te mjekët që kanë konkuruar për të fituar të drejtën për specializim.

Mjekët edhe sot kanë kërkuar  nga Ministria që ta anulojë konkursin e fundit për specializantë pasi dyshojnë se përzgjedhja e tyre është bërë duke mos marrë parasysh kriteret e vendosura.

Shumë pjesëtarë të Policisë së Kosovës ishin vendosur në korridoret dhe mjediset e jashtme të Ministrisë së Shëndetësisë për shkak të protestës së disa mjekëve në këtë objekt.

Edmond Prokshaj, i refuzuar për specializim, tha se edhe sot po kërkojnë një takim me Ministrin por nuk po marrin përgjigje.

“Arsyetimi që e kemi marrë prej tyre me të vërtetë është qesharak kur është pyet se si është bërë vlerësimi ata tregojnë që secili anëtar ka pasë të drejtën me i dhanë tre pikë, njëri nga anëtarët e komisionit kur është pyetur, ai përgjigjet shumë shkurt ‘unë e kam vlerësu ashtu si më ka pelqy’” thotë Prokshaj.

Mjekja Anita Shala, kandidate në këtë konkurs, thotë se ajo është pyetur nga një komision që nuk ka qenë në përbërje të plotë dhe se aty ka munguar një anëtar i komisionit.

Disa prej kritereve të këtij konkursi ishin që mjekët të kenë të kryer drejtimin përkatës në Fakultetin e Mjekësisë, të jenë të licensuar për punë profesionale dhe të kenë përvojë pune së paku 1 vit nga data e licensimit.

Pasi që mjekët nuk u pranuan në takim nga Ministri i Shëndetësisë ata morën rrugën për në Kuvendin e Kosovës ku u takuan me njërin nga anëtarët e komisionit për shëndetësi, Fikrim Damka.

“Prej tij morëm propozimin për një ankesë drejtuar komisionit për shëndetësi. z.Damka na premtoi se në mbledhjen e parë ata do ta shqyrtojnë ndodhitë e fundit në specializimin e fundit duke i marrë parasysh edhe brengat tona si të papunë”, tha doktoresha Shala.

Mjekët e indinjuar me konkursin e fundit morën përkrahje edhe nga deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Pal Lekaj i cili u premtoi se do ta trajtojë këtë çështje në seancë plenare.

Ndërsa Ministria e Shëndetësisë tha se me këtë çështje do të meret komisioni i ankesave.

“Lidhur me pretendimet e ngrituara nga disa mjeke-kandidate per specializim per konkursin e fundit jane duke u shqyrtuar me kujdes dhe secili parashtrues i ankeses do te njoftohet me epilogun e ankeses se tij”, thuhet në një përgjigje të Ministrisë për KALLXO.com.

Gjithashtu kjo Ministri thotë se është e gatshme për t’iu përgjigjur çdo interesimi te Komisionit Parlamentar për Shëndetësi.

KALLXO.com në vazhdimësi ka raportuar për çështjen e mjekëve në fjalë.

http://kallxo.com/ministria-e-shendetesise-mbushet-police/

http://kallxo.com/mjeket-ankohen-se-u-testuan-si-ne-sfilate-mode/