'Gara Kombëtare e Gërmëzimit' në anglisht, Foto: Kallxo.com

Dy nxënës nga Gjilani fitues të ‘Garës Kombëtare të Germëzimit” në anglisht

Eliza Shabiu nxënëse e klasës së nëntë nga fshati Përlepnicë i Gjilanit ishte fituese e ‘Garës Kombëtare të Gërmëzimit” në anglisht e organizuar nga organizata qeveritare amerikane “Korpusi i Paqes” që funksionon pranë ambasadës amerikane në Kosovë.

“Projekti ka qenë shumë i komplikuar. Jam ndier shumë e emocionuar, nuk po mundem me u shpreh mirë me fjalë. Po gëzohem shumë që gjithmonë e më shumë në Kosovë ka gara të këtij lloji, edhe neve na bën me përparu ma shumë”, ka thënë Eliza pasi u shpall fituese e garës.

Vendin e dytë në “Garën Kombëtare të Gërmëzimit” e cila zgjati për më shumë se dy orë e ka fituar Yll Ibrahimi, nxënës i klasës së tetë në shkollën “Selami Hallaçi” në Gjilan pas një gare që zgjati në disa runde me fituesen Eliza Shabiu.

“Gjatë kësaj gare jam ndier shumë i emocionuar por kam pasur shumë përkrahje prej shokëve dhe shoqeve e sidomos prej familjarëve. Ka pasur konkurrencë shumë të vështirë por arrita t’ia dal deri në vendin e dytë, e dëshirova shumë vendin e parë por nuk e deshi fati”, është shprehur Ibrahimi.

Që nga fillimi i garës secili nga 65 konkurrentët shkonte para jurisë për të dëgjuar fjalën të cilën duhej ta gërmëzonin.

Ata që e gërmëzonin fjalën në mënyrë korrekte kalonin në fazën tjetër kurse ata që nuk i gërmëzonin fjalët në rregull eliminoheshin.

Drejtoresha e organizatës “Korpusi i Paqes”, Darllen Grent që ka qenë organizatore e garës ka treguar se ata sjellin vazhdimisht vullnetarë në Kosovë për t’i ligjëruar të rinjve në Kosovë.

“Ne kemi rreth 60 vullnetarë që janë duke shërbyer, shumica e vullnetarëve ligjërojnë gjuhën angleze në fshatra të vegjël nëpër të gjithë Kosovën, në 27 nga 38 komunat e Kosovës. Jemi të lumtur që vullnetarët janë këtu për të punuar me të rinj”, ka theksuar Grent.

Për të qenë pjesë e kësaj gare nxënësit nga klasa e shtatë deri në klasën e nëntë janë përgatitur nga vullnetarët që nga muaji tetor.

Ata kanë mbajtur raundin lokal të garës së gërmëzimit nëpër shkollat e tyre duke garuar me nxënësit e tjerë.

Pastaj është zhvilluar një garë në raundin regjional ku 10 konkurentët më të mirë të çdo rajoni janë kualifikuar për “Garën Kombëtare të Gërmëzimit”.

Secili nga pjesëmarrësit e kësaj gare në fund u shpërblyen me mirënjohje.