Foto nga arkivi

Duhani Jashtë Kontrollit

Kur hyri në fuqi ky ligj në majin e 2013-ës, mesazhi i tij kishte kuptimin e marrjes së frymës lirshëm.

Gati tre vjet më pas, njëri nga qytetarët-Feti Beluli që nuk pi duhan, e ka vështirë të gjejë ndonjë lokal pa tym cigareje.

“Sa herë që dal për të pirë kafe me shoqërinë, por edhe me familjen, kam probleme të gjej hapësira ku  nuk pihet duhani. Edhe pse ekzistojnë disa të tilla, shpesh shoh se nuk respektohen. Nuk e di se pse pronarët e lejojnë një gjë të tillë,” thotë Beluli.

Por një pronar i një kafiterie prishtinase që nuk dëshiron të identifikohet, thotë se ka ndarë hermetikisht hapësirat ku pihet dhe nuk pihet duhani në lokalin e tij.

“Verës është kollaj, të gjithë rrinë jashtë ata që konsumojnë duhan dhe të tjerët, por në kohë dimri ne i kemi krijuar hapësirat që klienti mund ta pi kafen dhe cigaren së bashku. Këto dy hapësira janë të ndara hermetikisht nga njëra-tjetra,” thotë pronari i kafiterisë.

Hapësirat e ndara për duhanxhinjtë dhe joduhanxhinjtë vlenin me ligjin e vitit 2005 kur duhani lejohej në 30 për qind të hapësirave të lokaleve.

Biznesmeni që ka ndarë lokalin sipas ligjit që më nuk vlen thotë se te pronarët tjerë sheh shkelje të ligjit të duhanit.

“Unë në shumicën e rasteve shoh se si lokalet tjera nuk po e respektojnë ligjin. Herë-herë edhe klientët më ikin nga lokali. Po habitem se si inspektorati po e le këtë gjendje,” shprehet pronari i kafiterisë.

Pirjen e duhanit në kafiteri dhe klube nate e sheh si shqetësues Qendra Kosovare për Avokim dhe Zhvillim (KADC).

Sipas kësaj qendreje që monitoron zbatimin e Ligjit për Kontrollin e Duhanit 80 për qind e klubeve të natës janë shkelëse të ligjit, të pasuara nga kafiteritë me 60 për qind.

Duhan më shumë pas orës 20:00

Qendra Kosovare për Avokim dhe Zhvillim (KADC) në fazën e tretë të monitorimit të pirjes së duhanit nëpër institucione publike për vitin 2015 ka ardhur në përfundim se Ligji për Kontrollin e Duhanit zbatohet 100 për qind vetëm në institucionet shëndetësore.

Sipas KADC-së në institucione qeveritare ky ligj shkelet 16 për qind, në komuna 9 për qind, në universitete ose kolegje 11 për qind, në shkolla të mesme 17 për qind.

Aurora Mullatahiri nga KADC-ja thotë se Ligji për Kontrollin e Duhanit shkelet ndryshe në pjesë të ndryshme të ditës.

“Shkeljet e ligjit pёr duhan, janё shumё mё tё mёdha pas orёs 20:00 me 49 për qind, ndёrkaq shkeljet e ligjit  bien nё 40 për qind prej orёs 16:00 deri ora 20:00 dhe mё tё ulëta janё gjatё orarit tё punёs prej orёs 08:00 – 16:00 nё 28 për qind,” thotë Mullatahiri.

Sipas saj edhe tavllat e duhanit(shpuzoret) nëpër lokale vendosen pas orarit zyrtar të punës së inspektorëve.

“Monitoruesit tonë kanё hasur pёrdorim mё tё madh tё shpuzorëve pёr pirjen e duhanit nё orёt e vona tё ditёs, që prej orёs 16:00 – 20:00 pёrdorimi i mejteve pёr pirjen e duhanit rritet pёr 5 për qind duke rritur pёrqindjen e shfrytёzimit tё tyre nё hapsira publike tё mbyllura nё 18 për qind,” thotë Aurora Mullatahiri.

Inspektorati Sanitar që është njëri nga mbikëqyrësit e Ligjit për Kontrollin e Duhanit ka raportuar se në 2015-ën ka bërë 495 inspektime, duke dërguar në gjykata 215 fletëparaqitje ndaj shkelësve. Inspektimet në shumë raste, por edhe në aksione të ndryshme janë realizuar në bashkëpunim me inspektorët komunalë.

Sipas këtij ligji dënimi për shkelësin fizik ose qytetarin është 50 euro, për përgjegjësin e hapësirës 500 euro dhe personin juridik apo për subjektin afarist kjo vlerë arrin në 3,000 euro.

Për zbatimin e ligjit kundër duhanit Gazeta dhe Emisioni Jeta në Kosovë zhvilluan hulumtime dhe debate vazhdimisht.

 

Duhan Pa Kontroll Në Orët e Vona

Kosova Hapësirë e Mbyllur Publike për Duhanin