Ndalimi i pirjes së duhanit në ambiente të mbyllura, gastronomia në dilemë

Arian Vranica nga Shoqata e Gastronomëve të Kosovës ka thënë se gastronomët mund të llogariten si viktima të zbatimit të Ligjit për kontrollin e duhanit, i cili ndalon pirjen e duhanit në ambiente të mbyllura.

Në emisionin “Kallxo Përnime”, ai tha se megjithatë kanë qenë pro aksionit për kufizimin e konsumit të duhanit.

“Drejtoria e Urbanizmit të jep një lloj leje të caktuar se ku mund të konsiderohen hapësirat ku mund të konsumohet duhani por në anën tjëtër, Udhëzuesit administrativ flasin dçka tjetër, d.m.th. e rregullojnë ndryshe këtë kategori. Ka anomali të ndryshme të cilat krijojnë paqartësi edhe te bizneset. Por kjo fushatë nuk duhet të ndalet, për t’u rregulluar një herë e përgjithmonë” – tha Vranica.

Ai ka thënë se është reduktuar pirja e duhanit në gastronomi.

Arben Lila nga Qendra Kosovare për Zhvillim dhe Avokim ka thënë se kësaj herë ka vullnet politik që të respektohet Ligji kundër duhanit.

“Ferid Agani ka pasur vullnet politik dhe dy vitet e para ligji është zbatuar. Ligji është për kontrollin e duhanit jo për ndalimin e tij. Qëllimi i Ligjit është me ndryshu sjellja, për shkak se një përqindje shumë e vogël e ndez sot duhanin në shtëpi, dalin në ballkon” – tha Lila.