Ndalohet pirja e duhanit - Foto: KALLXO.com
Faton Peci jep detaje për aksionin e mbrëmshëm "anti-duhan"
Ministri i Bujqësisë, Faton Peci ka njoftuar se pas inspektimeve të djeshme në tërë Kosovën janë shqiptuar një numër i konsiderueshëm i gjobave në lidhje me moszbatimin e Ligjit për duhanin.
“Ligjet janë bërë që të zbatohen e jetësohen në praktikë e jo që të mbeten në letër! Pas inspektimeve të ditës së djeshme në tërë territorin e Republikës së Kosovës, janë shqiptuar një numër i konsiderueshëm i gjobave; gjë e cila nuk na bën të lumtur. Mirëpo zbatimi i ligjit nuk ka alternativë”- ka shkruar ai në Facebook.
Ministri ka ftuar qytetarët që të raportojnë rastet e mos-zbatimit të Ligjit për Duhanin.
Faton Peci, Ministër i Bujqësisë gjatë kësaj jave ka kërkuar nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë masa rigoroze kundrejt zbatimit të Ligjit për Kontrollin e Duhanit si dhe shtim të aktivitetit të inspektorëve në teren.
Ai ka njoftuar se inspektimet kanë filluar së pari në disa nga institucionet publike të vendit.
Ligji kundër duhanit, i cili ka hyrë në fuqi një dekadë më parë, ndalon pirjen e duhanit në hapësira publike – ku përfshihen lokalet hoteliere dhe shërbyese, hapësirat e punës, mjetet e transportit publik e vende të tjera.
Sipas Ligjit kundër duhanit, nëse tymoset duhan në hapësirat ku është e ndaluar me ligj, për subjektet afariste gjoba është nga njëmijë deri në tre mijë euro, derisa për personin fizik 30 deri në 50 euro.
Në vitin 2022 sipas Doganave të Kosovës, janë importuar mbi 4 mijë tonë duhan në vlerë prej mbi 100 milionë eurosh.