Duhan Pa Kontroll Në Orët e Vona

Kryetari lexhendar i Partisë së Fortë Visar Arifaj u pa duke pirë duhan nga gazetarët e Emisionit Jeta në Kosovë, në lokalin “Te miqtë”, para një muaji, 30 minuta pas mesnatës. Ky lokal në këtë kohë duhej të ishte i mbyllur. 

“Ndoshta ndodh ndonjëherë me e ndezë mbas orës 24 me shoqëri, edhe punëtorët që mbesin aty, por ne mundohemi me e respektuar në maximium”, tha Visar Arifaj më 20 shkurt për “Jetën në Kosovë”. 

Ligji për Kontrollin e Duhanit që ndalon pirjen e cigareve në hapësirat e mbyllura publike që nga maji i vitit të kaluar nuk po zbatohet si duhet nëpër komunat e Kosovës.

Emisioni i transmetuar në RTK më 6 mars hulumtoi (mos)respektimin e ligjit kundër duhanit nëpër 23 lokale hoteliere të kryeqytetit, dhe shumë komunave tjera. Gazetarët u bënë klientë të lokaleve më të popullarizuara kryesisht në periudhën prej orës 21 deri në 2 të mëngjesit gjatë disa ditëve në janar e shkurt. 

Në kafe Avalon që gjendet në qendër të Prishtinës, në rrugën Rexhep Luci, në natën e 7 shkurtit, pinte duhan edhe aktori Kushtrim Sheremeti, njëri nga pronarët. Ora i ishte afruar 23-it. 

“Na zakonisht nuk e thejmi ligjin, por ka qenë atë natë sigurisht një ndejë private”, u arsyetua Sheremetaj. Ai nuk e pranoi se pinte edhe vetë duhan, derisa gazetarët nuk ia treguan fotografinë ku Sheremetaj tymoste. 

“Ndoshta e kam ndezur edhe unë”, ndërroi fjalët ai, kur u ballafaqua me faktet. 

Sheremeti që është edhe anëtar i Kryesisë së Lëvizjes për Bashkim, kafenenë Avalon e ka në bashkëpronësi me Genc Prelvukajn, reperin e njohur, anëtarin e PDK-së e këshilltarin e Ministrit të Kulturës dhe Omer Rushitin, një person që përvojën e punës hoteliere të fituar në Britani, e ka sjellë në Kosovë. 

Zakonisht ligjin kundër duhanit lokalet e shkelin në mbrëmje. Bashkë me terrin e natës, lëshohen perdet dhe roletat dhe ajri rëndohet e mbushet me nikotinë, ndërsa kyçen edhe dyert. 

Kështu ndodhi edhe në Avalon më 7 shkurt. 

“Po e mbyllim se po vinë inspektorati”, tha kamerieri, derisa hapte derën. 

Bab club-thyerja e ligjit postohet në Facebook 

Më 7 shkurt duhani pihej edhe në Bab Cafe dhe Bab Club. Lokali i parë ndodhet te kinemaja ABC në Prishtinë, ndërsa gjendet afër hotelit Grand. 

Pronar i këtyre dy lokaleve është Rrustem Rukolli, i cili, mes tjerash është edhe koordinator i ekipit mbrojtës të kryetarit të Skenderajt Sami Lushtakut të Partisë Demokratike të Kosovës. 

Aty mungonin vetëm taketuket, por askush nuk ua prishte tymin e duhanit duhanxhinjve. 

“Na mundohemi me e respektuar [ligjin e duhanit],  por njerëzit nuk po na respektojnë, ne nuk mundemi me u mytë më njerëz, kemi thirrë disa herë edhe policinë që të intervenojë”, thotë këngëtari i njohur prishtinas Babuka që është menaxher i dy kafeneve të Rukollit. 

Përgjegjësit e Bab Club-it përveç që e lejojnë një shkelje të tillë, këtë lokal e promovojnë në rrjetin social Facebook me foto ku dëshmohet thyerja e këtij ligji.  

Por një lokal i hapur nga zëvendësministri i Punëve të Jashtme Petrit Selimi që vjen nga Partia Demokratike e Kosovës, respekton ligjin. 

Strip Depo-ja e themeluar nga Selimi nuk është shumë larg nga Bab Club-i. 

“Ka lokale që i  ndërrojnë pronarët çdo vit, vetëm derisa ta bëjnë profitin dhe normal që atyre nuk u intereson ta respektojnë shtetin”, thotë Selimi që mospirjen e cigareve në Strip… e shpjegon me qëndrueshmërinë e biznesit. 

Menaxheri i këtij lokali, Driton Berisha thotë se myshterinjtë e Strip Depos janë të mirëkuptueshëm.  

Por në “Zanzibar”, lokalin e ndodhur në ndërtesën e selisë së partisë në pushtet, herë pihet, e herë nuk pihet duhani. Më 7 shkurt pas mesnate, aty askush nuk e ishte ndezur cigaren, ndërsa pesë ditë më vonë, kur lokali ishte i mbushur, thuajse çdo i dyti mysafir tymoste. 

Lokali është në pronësi të Remzi Mustafës, vëllait të Agron Mustafës që është pjesë e PDK-së në pushtet.

Menaxheri i Zanzit… Nesim Maxhuni, si Babuka i Bab Club-it, fajin për pirjen e duhanit ua lë klientëve. 

“Ka shenja dhe krejt stafi ju thotë myshterinjve. Ndodh që edhe  i qesim jashtë myshterinjtë”, thotë Maxhuni. 

Por “guximi” për ta pirë duhanin, kur ai është i ndaluar nuk lidhet me lokalet e afërta me partitë politike. 

Duhani pihej pa problem edhe në “Shalter”,  një lokal alternativ, më 10 shkurt, pas orës 23:00. 

“Që e pini cigaren mundeni me dhezë”, bëhet i “mirë” kamerieri në “Shalter”. 

“Ne i kemi vendosë shenjat, por myshterinjtë s’po na dëgjojnë”, thotë Kushtrim Namani, menaxher i këtij lokali. 

Në Bamboo, më 10 shkurt atmosferën e këndshme të krijuar nga këndimi i grupit Aragona Band, e prishte konsumimi i duhanit nga të ulurit e gati çdo tavoline, bile edhe vetë kamerierët. 

Ditën në lokalin e ndodhur pranë ndërtesës së ish-Rilindjes, ku tash janë vendosur zyrat e qeverisë nuk pihet duhani. Nata është tjetër muhabet, edhe këtu. 

“Në Bambo nuk pihet duhani, përpos mbrëmë që nuk na dëgjuan disa tipa të pandërgjegjshëm që e ndezën  në orët e vona, për çka na i lajmëruam organet përkatëse…përndryshe e respektojmë ligjin gjithë”, thotë Arian Henci, menaxher i Bamboo-së. 

Rrëfime për myshterinjtë e “këqinj”, nga të cilët e sigurojnë ekzistencën , kanë edhe njerëzit që drejtojnë lokalet prishtinase “Aneks”, “Mhz Bar Klub”,  “Si n’Bahçe” dhe “Maruni”. 

Ata, teksa emisioni Jeta në Kosovë ua dëshmoi se duhani pihej në lokalet e tyre, thanë se lajmërojnë inspektorët për shkeljet e tilla. Vetëm menaxheri i  “Te na” nuk deshi të komentojë gjetjet e emisionit. 

Megjithatë, lokalet Prishtinase nuk janë të mbushura të tërat me re të tymit të duhanit. Në Papillon, Crem De la Crem, Ditë e Natë, Che Bari, BaBuka, Ruuf Top Bar, ligji që ndalon pirjen e cigareve respektohet.


Kushtrim Sheremeti, duke thyer Ligjin e Duhanit

Inspektorët pasivë

Haviz Haliti, Inspektor në Komunën e Prishtinës mendon se ligji në kryeqytet zbatohet 80%, por që sipas tij janë përafërsisht 20 lokale që e thyejnë ligjin.

“Tani kemi bërë edhe kujdestarinë nga ora 6 deri ne ora 12 të natës dhe do të ketë inspektime edhe në këtë kohë”, shpjegon ai. 

Por gazetarët e “Jetës në Kosovë” më 7, 10 dhe 12 shkurt raportuan në numrin pa pagesë të Inspektoratit 080011 000, duke raportuar për 14 lokale ku shkelej ligji. Gazetarët pritën prej gjysmë ore, deri në një orë nëpër këto lokale, por inspektorët nuk u dukën aty që të shqiptojnë gjoba, pavarësisht zgjatjes së detyrës së tyre deri në mesnatë.  

Në lokalin Sofra që ndodhet pranë QKUK-së, edhe mjekët shkelin ligjin kundër duhanit. Inspektorët e Ministrisë së Shëndetësisë, janë nga ata që duhet ta mbikëqyrin zbatimin e ndalimit të pirjes së cigareve, ndërsa ligji është hartuar nga MSh-ja. 

Pronari i këtij lokali nuk deshi të flasë se pse shkel ligjin, ndërsa ua ndërpreu xhirimet gazetarëve të emisionit, duke i detyruar të dalin jashtë. 


Mjeket duke thyer Ligjin e Duhanit, afër QKUK-së

Pejë: “Çardaku” hap dritaret 

Edhe në Pejë duhani pihet aty nga duhet të nisë ndalimi i tij. 

Në objektin ku është edhe Inspektorati i Sanitarisë si dhe shefi i Inspektorateve korridoret ishin të mbushura me shenja që ndalojnë ndezjen e cigareve, por poshtë tyre në shportat e bërllokut kishte  plot mbetje të cigareve, të cilat ishin pirë nga vetë punonjësit.

“Po ka këtu persona të cilët nuk e respektojnë ligjin e duhanit”, thotë Xhelal Bytyqi,  drejtor i Inspektoratit të Pejës.

Në lokalin “Çardak” të Pejës, pronarët hapën dritaret për të tentuar ta bëjnë hapësirë të hapur vendin ku pihej duhani, kur mësuan se mysafirë kanë edhe gazetarë të Emisionit “Jeta në Kosovë”. 

“Ne jemi duke e respektuar ligjin për duhanin, siç e shihni në këtë pjesën këtu janë të hapura dritaret dhe myshterinjtë pinë duhan”, tha Kujtim Spahija, menaxher i restorantit.. 

Ligji nuk respektohej as në tri lokale tjera të Pejës, por pronarët e tyre nuk deshën as ta komentojnë këtë. 

“Ne në kafiteritë të cilat sot i kemi vizituar nuk kemi hasur duke pire duhan”, tha Xhelal Bytyqi, kreu i inspektorëve të Pejës.

“Më thënë të drejtën nuk e kemi shqiptuar asnjë gjobë”, shtoi Bytyqi. 


Disa qytetarë, duke thyer Ligjin e Duhanit në Çardak të Pejës

Deçan: Askush nuk e ndalon duhanin 

Në lokalin “N’Teatër” , ku shpesh rrinë edhe zyrtarë komunalë, mes tyre edhe inspektorë, askush nuk e ndalon duhanin. 

Përgjegjësit e lokalit nuk deshën të komentojnë.

Këtë e pranon edhe Jashar Hulaj, shef i Inspektoratit, me arsyetimin se inspektorët janë vendas dhe nuk mund ta ndalojnë duhanin në hapësirat hoteliere të të afërmve. 

“Në komunën e Deçanit mund të them me plot përgjegjësi se nuk është kah zbatohet ligji aq sa duhet të zbatohet”, thotë Hulaj. 

Kurse Adem Lushaj, nga Shoqata e Intelektualëve të Deçanit, thotë se në këtë komunë asnjëherë nuk është vërejtur që ka ligj të duhanit.

“Ne nuk e dimë që ka ligj të duhanit për vendet publike, apo ndoshta ekziston, por ne nuk e vërejmë”, shpjegon ai. 


Qytetarët duke thyer Ligjin e Duhanit në një lokal përballë Komunës së Deçanit 

Obiliq: Kryetari thyen ligjin të dielën 

Kur ekipi i “Jetës në Kosovë” vizitoi Obiliqin në nëntor të vitit të kaluar për t’u takuar me kryetarin e tashëm Xhafer Gashin dhe drejtorin e tij të Shërbimeve Publike, Burim Gërguri, të dy e patën ndezur cigaren, edhe pse programi i tyre fliste për mbrojtje të ambientit. 

“Sot është e diel”, thanë ata atëherë. 

Por Ligji për Kontrollin e Duhanit nuk po zbatohet as tash në Obiliq. Në tre lokale në qendër të qytetit, duhani pihej më 18 janar, sikur të mos ekzistonte fare ligji i ndalimit për të. 

“Nëse  do të kishin ardhur me shpesh Inspektorati, ndoshta do të ishte respektuar por ata vetëm një herë në muaj më shpesh nuk vinë”, thotë menaxheri i lokalit”Lili”, Sylejman Shatrolli. Në këtë vend duhani pihet, ndërsa për pirjen Shatrolli akuzon edhe myshterinjtë. 

Ibush Mjekiqi, që tash është drejtor i Shëndetësisë, e në mandatin e kaluar ishte inspektor sanitar në komunën e Obiliqit, e pranon që në mandatin e vet nuk ka shqiptuar asnjë gjobë, edhe pse ka zënë persona të ndryshëm duke pirë duhan. 

“Ka ndodhë unë kur kam hy në ndonjë lokal i kam gjetur duke pirë duhan, por unë s’mundem të rri tërë kohen aty”, thotë ai, teksa lavdërohet se ka bërë 120 inspektime në kohën e tij. 

Burim Gërguri, drejtori që në dhjetor 2013 vetë theu ligjin, mendon se ndalimi i duhanit po respektohet në komunën e tij. 

“Tash po e respektojmë, shumë bile”, tha ai. 

Shtime: Inspektorët më aktivë 

Por ka qytete të vogla të Kosovës, ku megjithatë inspektorët nuk janë si ata të Deçanit dhe Pejës që nuk u shqiptojnë dënime vendasve, sepse i frikësohen presionit shoqëror. 

Komuna e Shtimes që është po aq e madhe sa Deçanit dhe Obiliqit, e më e vogël se komuna e Pejës, nuk e ka këtë problem. Kjo komunë ka shqiptuar 9 gjoba, edhe pse efekti i tyre në realitet nuk vërehej.

Lokali Freskia, i cili gjendet vetëm 50 metra larg komunës së Shtimes, dhe të cilit para 3 muajve i ishte shqiptuar gjobë për pirje duhani, prapë thyente ligjin më 16 janar. 

“Unë kam marrë vetë gjobë, por myshterinjtë nuk me dëgjojnë kur u them mos me  pi duhan në lokal”, thotë pronari Adem Aliu. 

Mungesën e zbatimit të këtij ligji e pranon edhe shefi i Inspektoratit të Shtimes Sherif Sheremeti, i cili megjithatë është krenar që i ka dërguar në Gjykatën Themelore të Ferizajt  9 paraqitje për gjobë.

“ Mundet me çalu,por megjithatë zbatohet deri në njëfarë mase”, tha Sherifi,  duke i lavdëruar përnarët e lokaleve që nuk ofrojnë taketuke.


Qytetari duke thyer Ligjin e Duhanit në qytetin e Ferizajt

Ferizaj: kemi luftuar për këtë ditë 

Në Ferizaj, në katër nga dhjetë lokalet e monitoruara më 18 janar. Ligji i duhanit nuk zbatohej as në pikë të ditës, në periudhën mes orës 10:30 deri në 14:00, sidomos në kohën e drekës kur inspektorët kanë pauzën.

Menaxheri i lokalit “Sazz” që nuk dëshiron të identifikohet, ka një shpjegim interesant pse në lokalin e tij pihet duhani. 

“Arsyeja pse myshterinjtë nuk e respektojnë këtë ligj është se ata pretendojnë se për këtë ditë kanë luftuar”, thotë ai, teksa sugjeron rishqyrtimin e ligjit. 

Edhe Burim Emini, menaxher i lokalit  “N ‘çosh” ankohet në myshterinjtë. “Ne nuk ju ofrojmë taketuke, por myshterinjtë nuk po e respektojnë”, arsyetohet ai. 

Edhe inspektorët e Ferizajt arsyetohen. 

“Vetëm në dy ditët e fundit i kemi inspektuar 80 lokale dhe i kemi shqiptuar 15 gjoba”, thotë Enver Sopa, inspektor sanitar në Ferizaj, i cili shton se do të punojnë që ky ligj të gjejë zbatim. 

Gjykatat vonohen 

Inspektorët ankohen edhe se lëndët po vonohen, derisa po trajtohen nga gjykatat. 

“Po kemi problem më lëndët nëpër gjykata dhe zgjidhjen e tyre, kjo është ndër problemet kryesore”, thotë Jashar Jashari, inspektor në komunën e Shtimes, teksa mendon se sikur gjykatat të punonin më shpejt, popullsia do të vetëdijesohej për mos-shkeljen e ligjit kundër duhanit. 

Në punën e gjykatave ankohet edhe Iliriana Zymberi që është edhe drejtoreshë e Inspektoratit Sanitar në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë.

“Me një muaj vonesë janë trajtuar fletëparaqitjet për gjoba. Atëherë kjo po çon në ngecjen e këtij ligji”, thotë ajo. 

Kurse Enver Peci, kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, arsyetohet që lëndët që po u vijnë gjykatave nuk po kanë prova të mjaftueshme dhe fletëparaqitjet nga inspektorët sanitarë po dorëzohen të pakompletuara

“Nëse një inspektor thotë se në një lokal është vërejtur era e duhanit, si dhe se në atë lokal është pirë duhan, ose ka parë duke u pirë, atëherë vjen pronari i lokalit dhe thotë se nuk është pirë duhan, atëherë ne kemi dy prova të kundërta”, shpjegon kryesuesi Peci. 

Por as puna e Inspektoratit Sanitar nuk është për t’u lavdëruar. Ky institucion që nëntë muaj prejse ligji hyri në fuqi, në gjykata ka dërguar 60 fletëparaqitje, tetë nga të cilat kanë përfunduar me gjoba. 

Nëse paga e përmuajshme e një inspektori sanitar llogaritet të jetë 250 euro, atëherë gjatë kësaj periudhe të hyrjes në fuqi të ligjit, 50 inspektorët sa ka agjencia, i kanë kushtuar Buxhetit të Kosovës vetëm për paga 112 mijë e 500 euro. 

Gjobat që inspektorët shqiptuan për shkelësit e ligjit të duhanit janë vetëm 28 mijë euro. 

Kurse qytetarët kanë mendime të ndryshme, disa prej tyre janë të informuar mbi këtë ligj dhe e përkrahin, e disa të tjerë as që e dinë që ekziston.

Kadri Raci,  qytetar nga Obiliqi thotë: “Unë e pi gjithë ”, duke mos ditur as sa është gjoba që do të merrte nëse do e zinin inspektorati duke pirë duhan. 

Gjoba për një individ që shkel ligjin është 50 euro. 

Por, pro ligjit tregohet një qytetar i Ferizajt, megjithëse është duhanxhi. 

“Duhet me e respektuar këtë ligj”, thotë Vali Shabani, teksa del jashtë për të pirë cigare. 

Sipas Departamentit për Mbrojtje të Konsumatorit vetëm gjatë vitit 2013 qytetarët kanë bërë 1067 lajmërime të vendeve publike ku pihet duhani.