Në Kosovë u shiten cigare edhe fëmijëve

Në emisionin “Kallxo Përnime” po diskutohet rreth zbatimit të Ligjit për kontrollin e duhanit.

Një hulumtim të cilin e ka realizuar stafi i KALLXO.com, pjesë e të cilit ishte një vajzë 12-vjeçare, tregon që shitësit nuk e kanë problem t’u shesin cigare fëmijëve.

12-vjeçarja kishte blerë pako të cigareve pa e pyetur askush për moshën.

Për më pak se gjysmë orë ajo ka frekuentuar 15 lokale në kryeqytet dhe vetëm 5 nga to nuk i kishin shitur asaj cigare pasiqë e ishte e mitur.

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka thënë se është vullnet i gjithë qeverisë që të ndalohet pirja e duhanit në ambiente të mbyllura si dhe shitja e tij për persona nën 18-vjeç.

Ai ka folur edhe për shitjen e duhanit fëmijëve, duke thënë se këto veprime dhe iniciativa duhet të jenë të koordinuara.

“Hallka duhet ndjekur hallkën në proces të evitimit të gjitha shkeljeve ligjore. D.m.th. shkelje ligjore është me i shit fëmijës nën 18 vjet duhan, qoftë me pako apo me copë. Ajo që mund të them është që çështja e inspektimeve është pjesë e angazhimit të kësaj Qeverie, madje edhe buxhetin kur e kemi bërë mes tjerash është theksuar që çështja e numrit të inspektorëve është problematike” – tha Peci.