Minatorëve të Trepçës sërish ju vonohen rrogat

Është data 14.05.2024 dhe minatorët e Trepçës ende nuk i kanë marr pagat për muajin maj, të parapara të merren më së largu më datën 10 të çdo muaji.

Kështu ka konfirmuar për KALLXO.com kryetari i Sindikatës së punëtorëve të Trepçës, Ibrahim Januzi,  i cili ka thënë se minatorët nuk kanë të holla për ta blerë as shujtën ushqimore.

“Situata e njëjtë është kah vazhdon, është një situatë e paqëndrueshme, definitivisht është shumë e rëndë. Kanë hy një herë në grevë kanë nejt dhjetë ditë, s’po dojnë me hy ma me dëmtu shëndetin hiç. Faktikisht veç caktimi i vendit të grevës po mungon, ndryshe nuk e di qysh me quajt këtë veç që s’po grevojnë në thellësi të tokës, por në sipërfaqe”.

“Pagat kanë qenë të parapame me i marr prej me të parin deri më datë 10 maksimum. Asnjë cent s’ka dalë hiç. Pare për me ble shujtën ushqimore s’po kanë nuk ia kanë qit”- ka thënë Januzi për KALLXO.com.

Të hënën më 13.05.2024 Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës ka bërë një reagim dhe ka kërkuar të ekzekutohen pagat.

“Një situatë e tillë e krijuar tashmë e sa kohë është bërë zakon që cenon vetë ekzistencën tonë. Mungesa e mjeteve ekzistenciale për jetesë (pagesa e pagës) dhe injorimi i menaxhmentit për të bërë punën e tyre tashmë nuk don koment”- thuhet në njoftim.

KALLXO.com ka kontaktuar me Bashkim Kurtin, kryeshefin ekzekutiv të ndërmarrjes. Ai e ka pranuar se rrogat u janë vonuar pasi ndërmarrja nuk ka arritur me gjeneru të hyra prej shitjes së xeheve.

“E vërtetë është. Ka ndodhë për shkak të pamundësisë për me gjeneru të hyra prej shitjes së koncentratit edhe kjo është arsyeja. Edhe mua më kanë thënë që kena me punu, kena me ba maksimumin po nuk e kanë ba. Në vend se me u bo 20,000 ton xehe, janë ba 6,000 ton xehe. E unë nuk jam minator, jam kryeshef”.

Mosrealizimi i pagës së plotë në muajin prill

Minatorët e ndërrimit të parë të ndërmarrjes “Trepça” kanë protestuar më 11.04.2024 për shkak të vonesave të pagave dhe mosrealizimin e pagës së plotë. Pastaj minatorët e ‘Trepçës’ kishin arritur një marrëveshje dhe i janë kthyer punës pas protestës.

Gani Osmani, minator i Trepçës pati thënë për KALLXO.com se janë në pritje të realizimit të premtimit nga kryeshefi ekzekutiv, Bashkim Kurti.

“E kemi ba një marrëveshje dhe rreth orës 11:00 kemi hy në minierë dhe ia kemi nis punës. Nuk u realizu paga 100%, por veç me pjesë. Herë 40%, herë 70%. Natën e Bajramit, na i kanë qit 40% të pagës … Mirëpo, sot kryeshefi ka thanë se 30% do ta realizoj brenda dite. Kurse brenda një jave kanë thanë që duhet me u realizu paga 100%”- ka thënë Osmani.

Ndërsa kryeshefi ekzekutiv, Bashkim Kurti pati pohuar vonesat në paga.

“Po ka pasë telashe në mëngjes por jemi dakordu me vazhdu punën- na me i kry obligimet tona e ata të vetat dhe kaq. 40% e pagës iu ka dal sot, se për shkak të festës nuk ka mujt me iu dalë të hënën se janë ekzekutuar pak vonë. Ato iu kanë dal sot në mëngjes, një pjesë tjetër ka mbet për nesër. Deri javën e ardhshme do të realizohet komplet”- pati thënë Kurti.

Ndryshe, Kurti ka filluar punën si kryeshef i ndërmarrjes “Trepça” më 01.02.2024.

Sa i përket kërkesave të minatorëve për realizim me kohë të pagave dhe ekzekutimin e pagës së plotë, të cilat kanë qenë evidente pothuajse gjatë gjithë vitit, Kurti ishte zotuar se do ta bëjë më të mirën e mundshme.

“Unë veç di me premtu që do ta bëj më të mirën e mundshme që secilën kërkesë të punëtorëve me e adresu ashtu siç e meriton. Por normalisht do të kërkoj prej minatorëve me i kry obligimet e veta të cilat i kanë dhe për të cilat paguhen”- pati thënë kryeshefi.

Bashkim Kurti është zgjedhur kryeshef i ndërmarrjes “Trepça” më 12 janar 2024.