Drogë në Kamionë e Vetura (VIDEO)
Në rubrikën “Policia” të emisionit “Drejtësia në Kosovë” është transmetuar një aksion policor i 4 tetorit të vitit të kaluar kur Policia e Kosovës kishte konfiskuar 36 kilogramë marihuanë në një kamion.
Ngjarja ka ndodhur në Prishtinë pasi rreth orës 14:30 Policia e Kosovës ka marrë informacion se po bëhej një dërgesë e lëndëve narkotike nga një zonë e Gjakovës drejt Prishtinës.
Njësitet e drogës kanë dalë nëpër pikat kyce që të dinë se si po lëviz personi i dyshimtë me ngarkesën e narkotikëve në mënyrë që ta ndalin dhe të lokalizojnë një vend të caktuar.
Rreth orës 23:30, Policia ka ndalur mjetin e dyshuar dhe pas kontrollimit në mesnatën e 5 tetorit ka hasur në qese të mbushura me lëndë narkotike.
36 kilogramë marihuanë u zbuluan në kamionin e ndalur nga Policia.
Për këtë rast është arrestuar një person, i cili i pyetur nga Policia tha se nuk është në dijeni për këtë ngarkesë e për këto lëndë narkotike.
Kamioni i cili ishte i ngarkuar me lëndë narkotike është dërguar për kontrollim të mëtutjeshëm.
E në aksionin tjetër të Policisë së Kosovës të datës 18 dhjetor të vitit 2015, rreth orës 10:00, sipas informacioneve të Policisë së Kosovës dyshohej se disa vetura po transportonin disa lëndë narkotike nga një zonë e Gjakovës në drejtim të Prishtinës dhe të Podujevës.
Njësitet policore kanë lokalizuar veturat e dyshuara të cilat, pas ndalimit të të dyshuarve, policia ka arritur të arrestojë një person ku dyshohej se në bagazhin e makinës së tij kishte një sasi të konsiderueshme të narkotikëve.
Pas kontrollimit të veturave policia me urdhër të gjykatës kanë bastisur shtëpitë e të dyshuarve.
Pas bastisjeve në shtëpitë e të arrestuarve policia ka konfiskuar një sasi municionesh dhe një pushkë e gjuetisë të cilat të dyshuarit i mbanin ilegalisht.