Drenasi paralajmëron protestë për rastin e 16 vjeçares

Shoqëria civile në komunën e Drenasit ka paralajmëruar protestën lidhur me rastin e 16 vjeçares nga Drenasi, për të cilën dyshohet se ishte ngacmuar seksualisht nga mësimdhënësi i saj, e më pastaj është keqpërdorur seksualisht nga një zyrtar policor.

Protesta me mbishkrimin “PRO Mësimit, JO Përdhunimit” do të mbahet të premten në orën 12:00 e cila do të marshoi nga Gjimnazi “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” deri tek Stacioni Policor.

“Keqtrajtimi i kësaj të miture është sulm direkt ndaj të gjitha parimeve ligjore dhe morale, por mbi të gjitha, është mbjellje e frikës për të gjithë nxënësit aktual dhe gjeneratat e reja që do të vijnë. Prandaj, është koha tani ose kurrë që t’i dalim në mbrojtje viktimës dhe të sigurohemi që fajtorët të marrin dënimin e merituar. Kjo është e vetmja formë që shoqërisë sonë t’i kthehet besimi në institucionet tona”, thuhet në paralajmërimin e kësaj proteste në ‘Facebook’.

Në këtë rast, shoqëria civile ka disa kërkesa që ndër to është që profesori të largohet nga vendi i tij i punës.

“Si rrjedhojë, kërkesat tona janë këto: 1. Zotim publik nga komandantit i Policisë në Drenas.  2. Ndërprerja e licencës së doktorit dhe mbyllja e klinikës ku është kryer aborti i paligjshëm.
3. Largimi i profesorit nga shkolla.  4. Mbikëqyrje më rigoroze nga drejtori i shkollës”, thuhet mes tjerash në njoftim.

Përveç tjerash, ata kanë kërkuar pesë pika të zotimit të Komandantit të Policisë në Drenas si vijon:

  1. Me vetiniciativë do t’i kërkoj Inspektoriatit të Policisë, të kryej hetim të komplet stacionit policor në Drenas për rastë të ngjashme. Varësisht nga gjetjet, do të meren masa.
    2. Do të organizoj trajnime për ngritje të vetëdijes së stafit, në lidhje me barazinë gjinore, trajtimin e këtyre rasteve dhe etikës në punë.
    3. Nëpërmjet policimit në komunitet, do të organizoj fushata vetëdijësuese për ngritje të bësimit të qytetarëve nv polici.
    4. Do të bashkëpunoj ngushtë me shoqërinë civile dhe organizatat rinore, për trajtim të shqetësimeve shoqërore.
    5. Do të sigurohem që të implementoj me rigorozitet, Nenin 37, pika 9 të LIGJI Nr. 04/L-076 PËR POLICINË.

https://kallxo.com/rreshteri-policor-ne-drenas-arrestohet-si-i-dyshuar-per-dhunim/