Drejtues të MFSK-së dhe FSK-së bisedojnë me zyrtarë francezë për forcimin e bashkëpunimit

Zëvendësministri i Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës (MFSK) Burim Ramadani, komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama dhe oficeri i lartë kolonel Jeton Dreshaj, po qëndrojnë për vizitë zyrtare në Francë.

Delegacioni i MFSK-së i shoqëruar edhe nga ambasadori i Republikës së Kosovës në Paris, Qëndrim Gashi, është pritur nga Thomas Bertin, drejtor për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Francës.

“Në takimet që zhvilloi delegacioni i MFSK-së dhe FSK-së në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe  në Ministrinë e Mbrojtjes të Francës, janë diskutuar arritjet e FSK-së, bashkëpunimi dypalësh dhe avancimi i marrëdhënieve ndërmjet dy ministrive”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

MFSK-ja bën të ditur se zëvendësministri Ramadani dhe gjeneral Rama  në takimet e tyre me zyrtarët francezë biseduan  edhe për sigurinë në Kosovë dhe rajon, si dhe për të ardhmen e FSK-së dhe mundësitë që ajo në të ardhmen të bëhet pjesë e operacioneve paqeruajtëse krahas ushtrive të vendeve të NATO-s.

“Në të gjitha takimet e delegacionit të MFSK-së me zyrtarët francezë u arrit konstatimi se bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Francës për çështjet e sigurisë dhe të mbrojtjes është kontribut për partneritetin e përgjithshëm midis dy vendeve si dhe për sigurinë rajonale dhe më gjerë”, përfundon njoftimi nga kjo Ministri.