Kryeshefi ekzekutiv i IPK-së | Foto: IPK

Drejtori i IPK-së Ruan Pozitën në Polici

Drejtori i Inspektoratit Policor të Kosovës Hilmi Mehmeti, mandati i të cilit është hetimi dhe inspektimi i punës së Policisë së Kosovës e ka rezervuar të drejtën që herë  do kur të kthehet dhe të punojë nën urdhrat e eprorëve të policisë të cilët për momentin është i obliguar t’i inspektojë dhe hetojë.

Inspektorati Policor i Kosovës është organ i cili mbikëqyrë dhe heton Policinë e Kosovës për veprimet kriminale e shkelje të rënda disiplinore.

Në konkursin e fundit për drejtor të këtij institucioni është emëruar majori Hilmi Mehmeti që deri në kohën e emërimit kishte punuar në pozitën e shefit të Sektorit për Kontroll dhe Mbikëqyrje të Kufirit në Policinë e Kosovës.

KALLXO.com mëson se Mehmeti është larguar nga Policia e Kosovës duke e pezulluar pozitën e tij apo thënë më mirë, ruan të drejtën që në çdo moment të kthehet në punë në institucionin të cilin tani është duke e kontrolluar.

I pyetur nga KALLXO.com, për mundësinë që pozita e tij e ngrirë në polici të jetë në konflikt të interesit me pozitën të cilën e mban në IPK, Mehmeti ka mohuar çdo mundësi për konflikt interesi.

“Sa i përket pyetjes për konflikt të interesit unë vlerësoj se në këtë çështje nuk ka kurrfarë konflikti interesi, besoj që veç e dini që organi kompetent për vlerësimin e konfliktit te interesit është  Agjencia Anti Korrupsion,” tha Mehmeti.

Të pyetur nga KALLXO.com zyrtarët për media në Policinë e Kosovës kanë konfirmuar se drejtori i tanishëm i IPK-së, ka një kontratë të pezulluar pune me policinë e cila parasheh kthimin e Mehmetit në polici në fund të mandatit të tij.

“ UA-07/12 e parasheh kthimin ne vendin e punës ne Nenin 81 paragrafi 2-citat’ Pas përfundimit të përmbushjes së obligimeve nga paragrafi 1,  pika  1.2-citat’ i punësuari ka obligim të lajmërohet në afatin prej 10 ditësh në Drejtorinë e Personelit të Policisë,” thuhet në komunikimin zyrtar me Zyrën përMedia të PK-së.

Në anën tjetër zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme, kanë vlerësuar se nuk kanë parë situatë të konfliktit të interesit në faktin se Mehmeti mban të pezulluar pozitën e tij në institucionin të cilin për momentin e kontrollon.