Ulja e temperaturave, ujësjellësi me rekomandime për ruajtje të instalimeve nga ngrirja

Kompania Rajonale e Ujësjellësit ‘Prishtina’ u ka bërë thirrje konsumatorëve që të kenë kujdes me vendosjen e ujëmatësve si shkak i uljes së temperaturave..

Përmes një njoftimi, ujësjellësi bëri të ditur se instalimet mund të ngrijnë brenda disa orëve nëse ekspozohen në ndaj ajrit të ftohtë.

“Sot filluan të ulen ndjeshëm temperaturat në vendin tonë, andaj ju lutemi që të keni kujdes të shtuar gjatë vendosjes së ujëmatësve. Ju paralajmërojmë se, tubacionet / instalimet brenda pronës tuaj përfshirë këtu edhe ujëmatësit, mund të ngrihen brenda disa orëve, nëse ata janë të ekspozuar direkt ndaj ajrit të ftohtë”, thuhet në njoftim.

Nga ujësjellësi tutje potencohet se mbrojtja e tubave në afërsi të banimit është përgjegjësi e vetë banorëve, për tu parandalaur ngritja potenciale e tubave apo shpërthimi i tyre kërkohet që të veprohet si në vijim:

Gjeni valvolën kryesore të mbylljes së ujit p.sh në bllokun e banimit (puseta me ujëmatësin kryesor) apo ne shtëpitë private. Tregoni të gjithë anëtarëve të familjes se si të mbyllni atë , në rast të një tubi i cili mund të shpërthejë ose emergjencë të ngjashme. Në banimet kolektive, banorët duhet të dinë vendndodhjen e pusetës me ujëmatës dhe valvolën për ndërprerjen, poashtu dhe valvolen për ndërprerje të rrjetit të hidrantëve të brendshëm në rast se keni shpërthim të tubit të hidrantëve.

Kompania e Ujësjellësit ka theksuar se kujdesë i shtuar duhet të jetë sidomos në katet përdhesë ku vertikalja e furnizimit është më e ekspozuar në ajrin e ftohtë si dhe bëhet izolim i pusetave për të mos ardhur deri te ngrirja.

“Apelojmë që në katet e përdhesës, ku vertikalja e furnizimit është më shumë e ekspozuar në ajrin e ftohtë dhe mundësitë e rrjedhjes janë potenciale, ju lutemi të merrni masa dhe izoloni që të mos vijë deri te ngrirja. Apelojmë te konsumatorët që të bëjnë izolime në pusetat ku kanë të vendosur matësin e ujit që të mos vijë deri te ngrirja”, thuhet nga ujësjellësi.

Sipas tyre, tubat që kanë më shumë gjasa të ngrihen janë ata që janë në muri të pa-izoluar mirë, garazhe, bodrume dhe ata të vendosur cektë nën sipërfaqen e tokës.

Kompania e Ujësjellësit këshillon që të bëhet izolim në mure të jashtme kudo që të jetë e mundur dhe mbyllen (vishni) gypat me izolim në garazhe dhe bodrume si dhe të bëhe  izolim i brendshëm i ujëmatësit me materiale që pengojnë ajrin e ftohtë.