Holdun Firat Kokturk - Foto: KALLXO.com

Drejtori i Limak tregon shifrat e përfitimit të Kosovës nga koncesionimi i Aeroportit

Drejtori i kompanisë ‘Limak Kosovo’ që koncesionoi Aeroportin e Prishtinës thotë se investimi në APN e ka bërë atë një nga më të mirët në Ballkan.

Në një intervistë për emisionin ‘Jeta në Kosovë’, Haldun Firat Kokturk përmendi shifrat që sipas tij paraqesin fitimet e Qeverisë së Kosovës nga marrëveshja me Limak.

“Deri më tani ne po paguajmë 39.5 për qind të të ardhurave bruto të mbledhura duke ia transferuar Qeverisë së Kosovës. Deri më tani shuma totale e transferuar në buxhetin e Kosovës është 77.7 milionë euro”, tha Kokturk.

Ai po ashtu tha se terminali i ri është një investim i vërejtshëm që ka ndikuar edhe në numrin e pasagjerëve.

“Jam i sigurt që të gjithë ata që kanë qenë në aeroport e vërejnë ndryshimin mes terminalit të ri dhe atij të vjetër. Tani për tani Aeroporti i Kosovës është një nga më të përparuarit në Ballkan”, tha Kokturk.

Kokturk në këtë intervistë flet për raportimet lidhur me shkeljet e kontratës së koncesionimit të Aeroportit të Prishtinës.

Ndërsa për këtë çështje flet edhe  ish- mbikëqyrësi i kontratës mes Qeverisë dhe LIMAK-ut, Lorik Fejzullahu.

Në këtë emision u transmetua pjesa e katërt  e hulumtimit për Aeroportin e Prishtinës.

Emisioni i parë kishte trajtuar parregullsitë në përmbushjen e marrëveshjes për koncesionimin e aeroportit nga kompania Limak dhe i dyti sigurinë e këtij aeroporti ndërsa i treti punësimet familjare në ASHNA.

Emisionin e plotë ‘Jeta në Kosovë’ mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: