Ilustrim: Aeroporti i Prishtinës - Foto: Aeroporti

14 për qind më shumë udhëtarë në Aeroportin e Prishtinës më 2023 krahasuar me vitin 2022

Numri i udhëtarëve në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” është rritur për 14 për qind në vitin 2023 krahasuar me vitin paraprak.

Nëpër këtë Aeroport kaluan mbi 3.4 milionë udhëtarë gjatë vitit 2023.

Bazeli, Cyrihu e Dyseldorfi janë destinacionet me më së shumti udhëtarë.

“Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” ka shërbyer gjithsej 3,424,883 udhëtarë në vitin 2023, sipas statistikave që ka mbledhur operatori LKIA, ky numër udhëtarësh është 14% më i lartë se numri i udhëtarëve që janë shërbyer në këtë aeroport në vitin 2022 (2,994,560)” – njofton Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës.

Gushti ka qenë muaji me fluksin më të madh, me gjithsej 411 mijë e 162 udhëtarë, e më pas korriku me 396 mijë e 700 udhëtarë, sipas këtij njoftimi.

Ndërkaq, muajt me më së paku udhëtarë kanë qenë shkurti me 193 mijë e 116 dhe marsi me 221 mijë e 760.

Numri i udhëtarëve ka reflektuar edhe numrin e fluturimeve.

“Gjatë vitit 2023 janë realizuar 11,639 nisje fluturimesh, apo 7% më shumë se vitin e kaluar. U dalluan me më së shumti fluturime muajt gusht dhe korrik, me 1,389 dhe 1,365 nisje fluturimesh. Në anën tjetër, muaji shkurt kishte më së paku nisje fluturimesh, 619” – ka shtuar Autoriteti i Aviacionit Civil.

“Prej shteteve, sa i përket trafikut të përgjithshëm nga Prishtina, Zvicra është e para e pasuar nga Gjermania, Turqia, Austria dhe Britania e Madhe. Prej kompanive ajrore, prin Wizzair me numrin më të madh të udhëtarëve të shërbyer nga Prishtina, e pasuar nga GP Aviation, Easyjet, Eurowings, Trade Air, Chair Airlines, e kështu me radhë” – përfundon njoftimi.