Dosja e prokurorisë për rrjetin e grabitësve të Prishtinës

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit ndaj dy të dyshuarve për grabitje në një nga pikat e “Meridianit”, dje në Prishtinë, raporton KALLXO.com.

Me vendim të gjykatës Agron Braha dhe Labeat Drenovci do të qëndrojnë në paraburgim për një muaj në paraburgim, ndërsa dy të dyshuarit e tjerë Redon Berisha dhe Enis Arifi gjenden në arrati.

Sipas prokurorisë ekziston dyshimi i bazuar mirë se Agron Braha dhe Labeat Drenovci kanë kryer veprën penale të Grabitjes.

“Ekziston dyshimi i arsyeshëm se katër të dyshuarit rreth orës 17:28 minuta në Prishtinë në Lokalin “Meridian”, të pajisur me maska në kokë dhe dorëza kanë hyrë brenda, i dyshuari Redon ka qenë me armë në dorë, ndërsa dy të tjeret me thika në duar dhe duke kanosur me armë viktimat, i pandehuri Agron ka marrë arkën nga lokali dhe me të në duar është larguar nga vendi i ngjarjes, kurse të dyshuarit e tjerë kanë ikur me këmbë në drejtime të ndryshme”, thuhet në njoftimin e prokurorisë

Gjykata paraburgimin e arsyetoi me rrezikun se të njëjtit nëse gjenden në liri mund të arratisen dhe mund të kryejnë vepra të tjera penale.