PAMJE - Dogana e Kosovës kryen kontrolle në argjendarinë e të arrestuarit për grabitjen në Suharekë

Dogana e Kosovës ka kryer sot kontrolle në argjendarinë e të arrestuarit në rastin e grabitjes në Suharekë.

Kontrolli është kryer në një argjendari në Prishtinë.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com Prokuroria Themelore në Prizren dhe Dogana e Kosovës.

“Jemi në asistencë të Policisë, me urdher të prokurores është kryer kontrollë”- ka thënë zedhënësi i Doganës, Adriatik Stavileci.

Nga prokuroria kanë konfirmuar se argjendaria është e njërit prej të arrestuarve.

Pas përfundimit të aksionit, zyrtarë të Doganës janë parë duke u larguar nga argjendaria me një thes të mbushur.

Nga vendi i ngjarjes më pas janë larguar edhe zyrtarët policor.

Ndryshe, më 22 nëntor ka ndodhur një plaçkitje e armatosur në një argjendari në qytetin e Suharekës. Në tentativën për ta parandaluar plaçkitjen, është plagosur një polic. Nga ky incident, përveç një polici të plagosur, kishte mbetur edhe një tjetër i lënduar.
Lidhur me këtë, një aksion policor, në tri lokacione që përfshijnë Prishtinën, Fushë Kosovën e Carralevën, është realizuar dje në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren.

Nga ky aksion policor, një polic mbeti i lënduar, e që gjendja e tij është jashtë rrezikut për jetë, përderisa njëri nga të dyshuarit u neutralizua gjatë zhvillimit të aksionit policor.

Policia ka thënë se njëri nga të dyshuarit ka shtënë me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve policorë duke ua rrezikuar drejtpërdrejt jetën e tyre.

Shkrepja e armës nga i dyshuari, sipas PK-së, bëri që të mbes i plagosur edhe zyrtar policor.

Më pas, policët që ishin prezent në vetëmbrojtje janë detyruar të përdorin forcën proporcionale, duke arritur të neutralizojnë një të dyshuar, përderisa katër të dyshuar të tjerë janë arrestuar.

Historia kriminale me 6 dënime e Bujar Bashës, të dyshuarit për grabitjen në argjendarinë në Suharekë