Ministrja Haxhiu për vrasjen e Liridona Murselit: Ky krim nuk do të mbetet pa u ndëshkuar
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka reaguar pas arrestimit të dy persona të cilët dyshohen për vrasjen e një gruaje në Prishtinë. Njëri nga të arrestuarit është bashkëshorti i të ndjerës Liridona Murselit, i cili, siç thotë ministrja Haxhiu, sipas dyshimeve “ishte përpjekur ta fshihte krimin e rëndë duke thënë që ishin cak i një grabitje”.
“Me punë intesive, angazhim dhe bashkëpunim ndërmjet policisë dhe prokurorisë, janë arrestuar dy persona të cilët dyshohen për vrasjen e gruas në Prishtinë. Njëri nga personat e arrestuar është bashkëshorti i të ndjerës Liridonës, i cili sipas dyshimeve ishte përpjekur ta fshihte krimin e rëndë duke thënë që ishin cak i një grabitje”- ka shkruar Haxhiu.
Ajo ka thënë se ky krim nuk do të mbetet pa u ndëshkuar.
“Vlerësoj lartë angazhimin e policisë dhe prokurorisë për sqarimin e rrethanave që shpiejnë në zbardhjen e këtij krimi të rëndë që mori jetën e të ndjerës Liridonës. Ky krim nuk do të mbetet pa u ndëshkuar. Kriminelët do të përballen me drejtësinë”- ka shkruar ministrja Haxhiu në Facebook.
Burime të KALLXO.com ka mësuar se Policia e Kosovës ka arrestuar sot Naim Murselin të dyshuar për vrasjen e gruas së tij, Liridona Murselit. Bashkë me naim Murselin, policia ka arrestuar edhe një person tjetër të dyshuar për përfshirje në këtë vrasje.
Liridona Murseli mbeti e vdekur vdekur si pasojë e të shtënave më armë zjarri më 29 nëntor rreth orës 20:20 në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë. Rasti sipas Prokurorisë është cilësuar si grabitje me pasoja vdekjeje.
Arrestohet Naim Murseli, dyshohet në rastin e vrasjes së gruas së tij