Dodik pritet të marrë presidencën e Bosnjës
Nacionalisti serb, Milorad Dodik do të drejtojë presidencën tripalëshe të Bosnjë-Hercegovinës, teksa ky shtet inauguron udhëheqësinë e re.
Të tre presidentët ndërrojnë karrigen e udhëheqësit çdo tetë muaj sipas Marrëveshjes së Dejtonit për paqe që i ka dhënë fund luftës në këtë shtet.
Sipas marrëveshjes, fuqia udhëheqëse është ndarë në tri grupe, për myslimanët boshnjakë, serbët e Bosnjës dhe kroatët.
Votuesit kanë zgjedhur në muajin tetor përfaqësuesit e tyre, derisa Dodik, politikan pro-rus, do të bëjë betimin në pozitën e re më 20 nëntor.
Dodik, përndryshe është goditur me sanksione ekonomike nga Shtetet e Bashkuara.
Në këtë ceremoni do të betohen edhe presidenti i myslimanëve boshnjakë, Shefik Xhaferoviq dhe presidenti kroat, Zhelko Komshiq.
Banorët e këtij shteti presin pak ndryshime pas këtij rezultati zgjedhor, meqë janë rritur tensionet në mes të myslimanëve boshnjakë dhe zyrtarëve serbë në këtë shtet.
Përndryshe votimet e muajit tetor kanë ndodhur në një periudhë të rëndësishme pasi rezultati është konsideruar përcaktues i vazhdimit të thellimit të marrëdhënieve të këtij shteti me Bashkimin Evropian dhe NATO-n ose ngecje në këtë proces. (REL)