Milorad Dodik dhe Vladimir Putin, Foto: Faqja e Presidentit të Rusisë

Republika Sërpska shpall ditë zie pas sulmit terrorist në Moskë

Dita e nesërme do të jetë ditë zi në Republikën Sërpska në Bosnje e Hercegovinë, për shkak të sulmit terrorist në Moskë të Rusisë.

“Nesër do të jetë ditë zie në Republikën Sërpska. Në këtë mënyrë, ne duam të nderojmë njerëzit e pafajshëm që u vranë në sulmin terrorist në Moskë dhe të solidarizohen me popullin mik të Rusisë” – ka njoftuar Presidenti i këtij etniteti, Millorad Dodik, përmes rrjetit social X.

Së paku 133 persona kanë vdekur si pasojë e një sulmi në një sallë koncertesh në periferi të Moskës, mbrëmë (22.03.2024). Grupi i Shtetit Islamik ka thënë se qëndron mbrapa këtij sulmi.

IS thotë se në sulmin vdekjeprurës ishin të përfshirë katër sulmues, të cilëve u ka publikuar edhe një fotografi, ku ata shihen të maskuar. Këto detaje janë publikuar nga gazeta e grupit “Amaq” në aplikacionin “Telegram”.

Presidenti rus, Vladimir Putin e ka dënuar ashpër këtë sulm dhe e ka shpallur 24 marsin si ditë zie kombëtare. Ky sulm është më i rëndi në Rusi në gati dy dekada.

Ai është zotuar se kryesit e sulmit do të ndëshkohen, mirëpo nuk ka komentuar ende mbi pretendimet e IS, por SHBA-ja ka thënë se është e besueshme që grupi i Shtetit Islamik mund të qëndrojë pas sulmit.

Përmes një fjalimi të incizuar paraprakisht, të lëshuar prej Kremlinit rreth 18 orë pas sulmit të 22 marsit, Putin e ka përshkruar dhunën si “sulm terrorist i përgjakshëm dhe barbar”.

Dodik kishte “festuar” fitoren e Presidentit rus, Vladimir Putin në zgjedhjet presidenciale. Ndërtesa e selisë së Presidentit Dodik u ndriçua me ngjyrat e flamurit rus më 18.03.2024.