Millorad Dodik paralajmëron se në cilin rast do të shkëputet Republika Srpska nga Bosnje dhe Hercegovina: "Do të jetë Dita D"
Udhëheqësi i Republikës Srpska Millorad Dodik përsëriti se ky entitet do të shkëputet nga Bosnja dhe Hercegovina, BiH, nëse përfaqësuesi i lartë ndërkombëtar Christian Schmidt imponon ndryshime në Ligjin Zgjedhor dhe njoftoi një takim me partitë kryesore boshnjake dhe kroate në përpjekje për ta arritur një marrëveshje.
Schmidt, i cili kryeson administratën ndërkombëtare në BiH, njoftoi në mes të dhjetorit se do të ndërhyjë në legjislacionin zgjedhor të vendit për ta garantuar transparencën e procesit zgjedhor në rast se politikanët vendas nuk bien dakord për këtë çështje. Në një prononcim për mediat vendase, ai shtoi se këtë javë liderët e partive në pushtet pritet të bisedojnë për një sërë reformash dhe këtë takim e quajti “Dita e D”.
“Nëse ata vazhdojnë ta shpërbëjnë Dejtonin…”
“Do të jetë Dita e D. Nëse dikush guxon të kalojë kufijtë dhe realizon një skenar që i hap hapësirë për të imponuar diçka. Nëse vazhdojnë ta shpërbëjnë Dejtonin, do ta marrin një Republika Srpska të pavarur dhe një Federatë të shpërbërë jofunksionale”- ka deklaruar Dodik për mediat në Banja Llukë.
Dodik ka kërcënuar më parë në disa raste me shkëputjen e Republika Srpska në rast se Schmidt, autoritetin e së cilit ai e kundërshton, imponon disa nga ligjet. Ndryshimi i Ligjit Zgjedhor me përmirësime teknike është një nga kushtet që Komisioni Evropian t’i rekomandojë Këshillit Evropian deri në mars hapjen e pakushtëzuar të negociatave të anëtarësimit me Bosnjën dhe Hercegovinën.
“Boshnjakët janë politikisht të varur nga të huajt”
Dodik i ka akuzuar partitë boshnjake për sjellje servile ndaj të huajve dhe se në fakt ato janë problemi më i madh që nuk ka marrëveshje për reforma.
“Politikanët boshnjakë nuk kanë kapacitet për vendimmarrje të pavarur dhe për negociata. Nënshtrimi i tyre ndaj të huajve që i emëruan ata çon në faktin se marrëveshjet nuk respektohen dhe se ne dyshojmë seriozisht në vendosmërinë e tyre që BiH të ecë përpara”- ka thënë Dodik.
Krahas ndryshimeve në Ligjin Zgjedhor, Komisioni Evropian i ka njoftuar politikanët vendas se duhet ta reformojnë Ligjin për Ndalimin e Financimit të Terrorizmit dhe Pastrimit të Parave, Ligjin për Gjykatat e Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Ligjin për Parandalimin e Konflikteve të Interesi.
Polemikat më të mëdha janë për ndryshimet në Ligjin Zgjedhor dhe pala kroate në BiH pret që këto ndryshime të garantojnë përfaqësim legjitim politik, pra ta parandalojnë mundësinë e mbivotimit të atij kombi gjatë zgjedhjes së një anëtari të Presidencës së BiH. Zheljko Komshiq u zgjodh në krye të shtetit katër herë me votat e votuesve kryesisht boshnjakë, legjitimiteti i të cilëve kundërshtohet nga partitë kroate./Index.hr
Përgatiti: Nuhi Shala