Takimi i Lajçak me Millorad Dodik dhe anëtaren serbe të Presidencës në Bosnje Hercegovinë Zeljka Cvijanović, Foto: Mirosllav Lajçak/X
Lajçak takon Millorad Dodikun në Turqi
Emisari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak është takuar me tre anëtarët e Presidencës së Bosnje Hercegovinës në Forumin Diplomatik të Antalias, më 01.03.2024.
Këta tre anëtarë janë Zeljka Cvijanović, anëtare serbe e Presidencës së Bosnje Hercegovinës, Željko Komšić i cili është anëtar kroat në këtë presidencë dhe Denis Bećirović.
Lajçak përveç tyre është takuar edhe me Millorad Dodik, udhëheqës i Republikës Serbe në Bosnje.
Dodik, i njohur edhe si lider pro-rus, është sanksionuar nga SHBA-ja më 05.01.2022.
Sipas një njoftimi nga Lajçak, ata kanë folur për rëndësinë e reformave ndaj Bosnje Hercegovinës drejt rrugës së saj në Bashkimin Europian.
“I kënaqur që kisha mundësinë të takohem me të tre anëtarët e Presidencës së Bosnje Hercegovinës, si edhe zotëri Dodik në Antalia. Nënvizova rëndësinë vendimtare për të kryer reforma të nevojshme për Bosnje Hercegovinën për të ecur përpara në rrugën e saj të BE-së në mars. Kjo është me interes jetik për të gjithë vendin” – ka shkruar Lajçak, në platformën X.
I’m glad I had the chance to meet all three members of the Presidency of 🇧🇦, as well as Mr Dodik in Antalya. I underlined the crucial importance to deliver on the necessary reforms for 🇧🇦 to move ahead on its 🇪🇺 path in March. This is of vital interest for the entire country. pic.twitter.com/18jtVhgWvp
— Miroslav Lajčák (@MiroslavLajcak) March 1, 2024
SHBA-ja e ka akuzuar Dodikun drejtpërdrejt apo në mënyrë të tërthortë se ka shkelur, penguar apo kërcënuar që Marrëveshja e Dejtonit të mos zbatohej, por edhe nën akuza se është përfshirë në aktivitete korruptive.
Edhe në korrik të vitit 2017, Thesari amerikan e ka akuzuar Dodikun se po pengonte zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit, e cila u ka dhënë fund luftimeve në Bosnje, më 1995.
Millorad Dodik është sanksionuar edhe nga Britania e Madhe.
Ndërsa, tre anëtarët e përmendur me të cilët është takuar Lajçak, janë zgjedhur anëtarë të Presidencës në zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura më 02.10.2022 në Bosnje Hercegovinë.
Për takimin Lajçak – Dodik, ka reaguar deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha.
Duke ironizuar, Basha ka drejtuar një pyetje ndaj Departamentit të Shtetit Amerikan, për shkak të sanksionimit të Dodik nga Amerika.
“Një pyetje për Departamentin e Shtetit Amerikan: A e mbeshtesin ende Lajçakun pasi ky po takon njerëz si Dodiku, që e ka sanksionu Amerika?!” – ka reaguar Basha, në profilin e tij në Facebook.
Në kuadër të këtij Forumi, në po të njëjtën ditë kur është takuar me Presidencën e Bosnje Hercegovinës, më 01.03.2024, Lajçak është takuar edhe me presidenten e vendit, Vjosa Osmani.
Lajçk ka bërë të ditur përmes një postimin në “X” se gjatë takimit me presidenten Osmani ka biseduar edhe për zgjedhjet në veri, por edhe takimin e fundit në Bruksel që Lajçak pati me përfaqësues të Kosovës e Serbisë për rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), që përcakton se valuta e vetme për pagesa në Kosovë është Euro-ja, duke prekur kështu dinarin serb, me të cilën valutë kanë kryer pagesa serbët lokalë në vend.
Forumi Diplomatik i Antalisë i ka zhvilluar punimet nga data 1 deri më 3 mars 2024.