Do të Fotografohet Vendtakimi i Kelmendit

Para se seanca të ndërpritej për përkeqësim të shëndetit të dëshmitarit, Muhamed Usanoviq tha se e njihte Naser Kelmendin dhe se ishte takuar disa herë me të.

Ky dëshmitar tregoi se çfarë i kishte thënë Ramiz Delaliqi për Naser Kelmendin.

“Delaliq më ka thënë se ka raporte të këqija me Muhamed Ali Gashin dhe Naser Kelmendin dhe i kanë pasur raportet e këqija. Ai më ka thënë se është takuar me Kelmendin dhe janë fjalosur mes vete,” tha dëshmitari.

Usanoviq tha se Delaliq frikohej mos po e vrisnin.

“Sa u përket tensioneve mes tyre [Delaliqit e Kelmendit]e kanë ditur tërë Sarajeva, pasi Ramiz Delaliq mbante jelek antiplumb dhe armë me vete dhe kishte frikë se do ta vrasin,” tha dëshmitari.

Usanoviq kujtoi edhe fjalë tjera të Delaliqit.

“Unë disa herë e kam dëgjuar Delaliqin ta pëmend frazën mafia shqiptare, apo klani shqiptar. Mirëpo nuk e di se kujt i është referuar me këtë Naserit, Muhamedit, apo ndokujt tjetër,” tha Usanoviq.

Seanca e radhës do të zhvillohet më 21 mars

12:08

Dëshmitari Muhamend Usanoviq foli për acarimin e raporteve mes Ramiz Delaliqit dhe Muhamed Ali Gashit.

Usanoviq tha se këta dy persona i kishin prishur raportet për arsye se sipas tij Muhamed Ali Gashi merrej me fajde.

Të gjithë në Sarajevë e kanë ditur se Muhamed Ali Gashi merret me interes dhe u ka rritur interesin njerëzve dhe Delaliq ka qenë kundër kësaj,” tha dëshmitari.

Ai bëri të ditur se edhe atij i kishin ofruar para me fajde.

“Në një kohë edhe mua më kishin ofruar para me fajde, por unë e kam refuzuar këtë,” tha Usanoviq.

Në tetor të vitit të kaluar një dëshmitar tjetër nga Bosnja Amir Pashiq, për personin e quajtur Muhamed Ali Gashi kishte thënë se ishte njeri i Naser Kelmendit.

http://kallxo.com/deshmitari-pashiq-udhetimi-ne-turqi-shkendije-e-incidentit/

Kelmendi mes tjerash akuzohet edhe për vrasjen e Ramiz Delaliqit që ndodhi në vitin 2007 në qendër të Sarajevës.

11:28

Vendtakimi i Naser Kelmendit dhe njerëzve që punonin me të në Pejë do të fotografohet nga gjykata.

Fotografimin e një autosalloni që jepte vetura me qira në Pejë, të cilin e përmendi dëshmitari i mbrojtur K1 e kërkoi Besnik Berisha, avokati i Naser Kelmendit.

Dëshmitari K1 përmendi këtë autosallon si vend ku u takua Naser Kelmendi me disa persona gjatë dëshmisë së tij më 15 mars.

“Trupi gjykues në rastin Kelmendi, aprovon kërkesën e avokatit Besnik Berisha që nga një teknik gjyqësor të bëhen disa fotografi të një autosalloni rent a car në Pejë, pasi që këtë autosallon e ka përmendur në dëshminë e tij dëshmitari K1,” vendosi gjykata.

Seanca në këtë rast do të vazhdojë në orën 11:30 ku dëshminë përmes video-lidhjes do ta japë nga Sarajeva dëshmitari Muhamet Usanoviq. Ai është dëshmitar i propozuar nga prokuroria.

Dëshmitari i koduar me shifrën K1 dëshmoi për tri ditë në gjykimin e Kelmendit.

http://kallxo.com/k1-delaliq-nuk-donte-droge-ne-sarajeve/

http://kallxo.com/perzieresi-i-droges/

http://kallxo.com/deshmitari-i-mbrojtur-flet-per-rrugen-e-droges/

Naser Kelmendi akuzohet për vrasje të rëndë, për krim të organizuar, blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike dhe prodhim e përpunim të paautorizuar të narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike.

Ai krahas shtetësisë kosovare e ka edhe atë boshnjake, ndërsa u arrestua nga policia e Kosovës në majin e 2013-ës, pasi u kërkua me fletarrestim ndërkombëtar nga Bosnja.

Pasi Bosnja e Kosova nuk kanë marrëdhënie diplomatike dhe as marrëveshje ekstradimi, Kelmendi është duke u gjykuar në Kosovë, por ai ka akuzë edhe në Bosnjë.

Në Bosnjë Kelmendi po akuzohet për krim të organizuar, vrasje të mbetur në tentativë dhe për shitje e shpërndarje të substancave narkotike në Amerikën Latine, Turqi, Serbi, Kroaci dhe shtetet tjera të Evropës Perëndimore.

Kur iu lexua aktakuza më 16 janar, Kelmendi u deklarua i pafajshëm, ndërsa e cilësoi  aktakuzën një prodhim nga Bosnja.