Disiplina Heton 11 Gjykatës e Prokurorë

Njëmbëdhjetë gjykatës e prokurorë janë duke u hetuar nga Zyra e Prokurorit Disiplinor e Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillit Prokurorial për sjellje të pahijshme.

Lajmi për inicimin e hetimeve është konfirmuar nga drejtori i Zyrës së Prokurorit Disiplinor, Zef Prendrecaj.

“Për momentin në zyrën tonë janë të hapura 11 gjyqtarë dhe prokurorë për sjellje te mundshme te pahijshme” ka thënë Prendrecaj për KALLXO.com.

Sipas tij, natyra e shkeljeve të supozuar është që nga konflikti i interesit e deri tek parashkrimi i lëndëve.

“Hetimet disiplinore ndaj gjyqtarëve/prokurorëve janë hapur për neglizhencë (vjetërsim-parashkrim të rasteve), njëanshmëri të mundshme, vendosje të rasteve në konflikt interesi dhe shkelje te Kodit të Etikës për gjyqtarë dhe prokurorë”, ka thënë Prendrecaj.

Që nga procesi i riemërimit të gjykatësve dhe prokurorëve dhjetëra procedura disiplinore janë hapur e përfunduar për gjykatës e prokurorë.

Deri më tani vetëm një gjykatës është shkarkuar nga detyra e tij për shkak të shkeljeve disiplinore.