Arkiv

Dhurata Hoxha falënderon Tanja Fajonin dhe të tjerët për vizat

Ministrja e Integrimit Evropian Dhurata Hoxha përmes një statusi në Facebook ka uruar qytetarët për votimin për liberalizim të vizave në Parlamentin Evropian.

Sipas Hoxhës, institucionet qendrore dhe lokale i kanë realizuar të gjitha kushtet e vëna për këtë proces.

“Institucionet tona, të nivelit qendror dhe lokal, me përkushtim kanë realizuar të gjitha kushtet për liberalizim. Pas kësaj pune të jashtëzakonshme në të gjitha fushat dhe nivelet, ky votim i sotëm, është mirënjohje dhe dëshmi se qytetarët tanë e meritojnë lëvizjen e lirë”, ka shkruar Hoxha.

Ajo ka falënderuar raportuesit për Kosovën, grupet parlamentare në Parlamentin Evropian e euro deputetët, mirëpo ka pasur një falënderim të veçantë për Tanja Fajonin.

“Falënderoj raportuesit për Kosovën dhe Grupet parlamentare në Parlamentin Evropian, si dhe euro deputetët që patën mirëkuptim për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës, angazhimin permanent që liberalizimi i vizave të ndodhë sa më parë. Shpreh respekt të thellë dhe të sinqertë, edhe në emër të qytetarëve të Kosovës për zonjën Fajon për gjithë çka ka bërë për këtë proces tejet të rëndësishëm”, ka shkruar tutje ministrja Hoxha në Facebook.

Parlamenti evropian votoi sot në favor të liberalizimit të vizave për Kosovën. Në favor të propozimit votuan 420 deputetë ndërsa kundër 186.

https://kallxo.com/parlamenti-europian-votoi-pro-liberalizimit-te-vizave-per-kosoven/