Seanca e Kuvendit - Foto: KALLXO.com

Dështon sërish seanca e thirrur nga opozita, s`ka kuorum

Seanca e jashtëzakonshme e thirrur nga partitë opozitare ka filluar derisa në sallë ishin prezent vetëm 56 deputetë bashkë më kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli.

“Shumë simpatik jeni”, iu drejtua Veseli opozitës.

“Nëse arrini t`i bëni 58 deputetë, vijnë votojnë edhe pozita. Naiti është t`u prit me një kambë edhe Nisma vjen. Te ulemi bashkërisht, mos ta bojkotojmë vendin. Ta mbrojmë Kosovën bashkë, se lodheni veç ju vet. E miratojmë platformën, e krijojmë ekipin negociator. Edhe 5 minuta presim, pastaj dal në vendimmarrje, 57 deputetë u banën tani”, tha Veseli.

Në seancën e sotme deputetja Teuta Rugova edhe deputeti Faton Topalli mungojnë prej opozitës.

“Në këto rrethana jam i obliguar që ta mbylli këtë seancë dhe në ora 14 ftoj kryesinë e Kuvendit së bashku me kryetarët e grupeve parlamentare”, deklaroi kryetari Veseli.

Glauk Konjufca nga LVV, tha se po bëhet lojë Kuvendi nuk po funksion për fajin e Qeverisë.

“Po bëhet e qartë që Kuvendi s`po funksion për një arsye ku Qeveria po e bojkoton seancën. Unë di shumë vende të botës ku opozita e bojkoton seancën, mirëpo në asnjë vend të botës nuk ndodhë që mazhoranca ta bojkotoj kuvendin”, tha Konjufca.

Sipas tij, Nisma dje ishte në lojë, tash nuk erdhi.

“Kryeministri i shtetit nuk e sheh të denjë me ardh me iu përgjigj në 51 nënshkrimeve. Nëse një kryeministër nuk iu përgjigjet 51 deputetëve, këtu ka një krizë të thellë. Nuk mund të funksionojnë  institucionet shtetërorë kur pozita nuk vjen në seancë. Në momentin që Qeveri bojkoton Kuvendin, duhet me u shpallë zgjedhjet”, ka deklaruar Konjufca.

Kujtim Shala nga LDK, tha se nëse partitë shqiptarë duan ta mbrojnë sovranitetin e vendit atëherë sipas tij ato duhet të vijnë në kuvend dhe ta votojnë rezolutën.

“Është dita e tretë që po tentojmë ta mbajmë këtë seancë dhe nëse partitë shqiptare kanë vullnetin që të mbrojnë integritetin dhe sovranitetin e republikës së Kosovës le ta votojnë rezolutën e propozuar nga opozita”, tha Shala.