Nderimi i Shpend Ahmetit për dëshmorët e Prihtinës | Foto: KALLXO.com

Dëshmorët e Prishtinës Kujtohen me Dhurim Gjaku

Lirak Çelaj e Shpend Ahmeti nuk u përkulën së bashku para shtatores së Zahir Pajazitit, në ditën kur kujtohen dëshmorët e Prishtinës.

Homazhet pranë shtatores së Pajazitit ishin paraparë për orën 10:00, ndërsa Lirak Çelaj, kreu i asamblistëve të PDK-së sqaroi arsyen pse këto homazhe nuk i bënë të gjithë së bashku.

“Në ora 10 ka qenë, ne nuk jemi organizatorë të kësaj pune, shoqata e veteranëve është. Pritëm deri diku rreth 15 minuta, ata që erdhën gjithë bashkë bëmë homazhe, nuk u ndamë. Ata që u vonuan u vonuan, pyetni ata pse u vonuan, kurse ne e bëmë në kohën e caktuar”, tha Çelaj.

Ai dhuroi gjak në këtë ditë që lidhet me gjakun e derdhur të dëshmorëve për liri.

“Kjo ditë shënohet për hir të atyre që dhanë jetën që ne ta gëzomë lirinë. Është formë simbolike vazhdimisht dhënia e gjakut, unë jam dhurues i gjakut vazhdimisht, e sidomos në këtë ditë. Është thjesht simbolikë për të përkujtuar të gjithë të rënët që në sot jemi të lirë”, tha Çelaj.

Nderimi para shtatores së Zahir Pajazitit

Ndërsa kryetari i Prishtinës Shpend ahmeti, kur nderoi te shtatorja e Zahir Pajazitit,  premtoi përmirësim të infrastrukturës te varrezat e dëshmorëve.

“Sot më 18 prill si çdo herë tjetër përkujtojmë dëshmorët e Prishtinës në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe përkulemi pranë dëshmorëve,  tash para dëshmorit  Zahir Pajaziti. Ne si Komunë e Prishtinës kemi premtuar që të ju ndihmojmë në përmirësimin e infrastrukturës në varreza”, tha Ahmeti.

Ai foli edhe për projektin e rregullimit të varrezave të dëshmorëve në fshatin Marec, por edhe në Prishtinë.

Naser Pacolli, kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve në Prishtinë kërkoi shtimin e vigjilencës në raport me rregullimin e varrezave të dëshmorëve.

“Ju bëj ftesë institucioneve qendrore dhe komunale që ta ngrisin vigjilencën karshi këtyre që shpeshherë jo që po ndahemi të kënaqur me rregullimin dhe mirëmbajtjen e varrezave”, tha Pacolli.

Me dhurimin e gjakut në Ditën e Dëshmorëve të Prishtinës u nda i kënaqur edhe Fadil Mahmuti nga Qendra Kombëtare për Transfuzion të Gjakut.

“Njerëzit po presin në radhë për të dhuruar gjak po shpresojmë që do jetë një aksion i mirë sepse nevojat për gjak si zakonisht janë të mëdha. Shpresojmë që ky numër gjatë ditës do të rritet, kjo është hera e pestë nëse nuk gaboj radhazi që në këtë ditë dhurojnë gjak për veteranët e luftës dhe shpresoj që do të jetë një shembull për institucionet”, tha Mahmuti.

Edhe banorët e Sofalisë në mars të këtij viti dhuruan gjak në ditën kur kujtuan dëbimin dhe të vrarët e marsit të vitit 1999.

http://kallxo.com/banoret-e-sofalise-dhurojne-gjak-kujtojne-debimin-dhe-te-vraret/

Komuna e Prishtinës ka 70 dëshmorë dhe më shumë se 130 viktima civile të luftës.